iPhone 15 ka bërë kalimin e parashikuar në USB-C. Megjithatë, për shpejtësinë më të mirë të transferimit të të dhënave, konsumatorët mund të kenë nevojë të investojnë në variantin Pro dhe një kabllo specifike.
Versioni bazë i iPhone 15 ofron shpejtësi të transferimit të të dhënave deri në 480 Mbps, përmes portit të tij USB-C, zbulon specifikimi i produktit. Kjo për shkak se Apple zgjodhi portën më të vjetër USB 2 për këtë model. Kështu, pavarësisht ndryshimit nga porti Lightning, shpejtësia e transferimit të të dhënave mbetet në përputhje me versionet e mëparshme.
Për ata që dëshirojnë transferime të shpejta, iPhone 15 Pro bëhet thelbësor. Në këtë version përfshihet një port USB 3, që mbështet shpejtësinë e transferimit të të dhënave deri në 10 Gbps.
Megjithatë, ka një kleçkë. Apple duket se po siguron vetëm një kabllo USB 2 me iPhone 15 Pro, i cili nuk do të mundësojë shpejtësinë maksimale prej 10 Gbps. Specifikimet teknike të iPhone 15 Pro përmbajnë një informacion të rëndësishëm: për të pasur shpejtësi të plota USB 3, kërkohet një “kabëll USB 3 me shpejtësi 10 Gb/s”. Megjithëse faqja e para-porositjes së produktit përmend një “kabëll karikimi USB-C” të përfshirë, kjo duket të jetë vetëm një USB 2, sipas dyqanit të Apple.
Për ata që duan të maksimizojnë aftësinë e tyre Pro, dyqani i Apple ofron një kabllo USB-C Thunderbolt 4, me çmim 69 dollarë. Përndryshe, kabllot USB-C 10 Gbps janë të disponueshme në platforma si Amazon për rreth 13 dollarë.




