Një rrjedhje masive të dhënash ka goditur HOT.com, një platformë amerikane që grumbullon oferta për shërbime për të rritur në mbarë botën. Rreth 1.22 terabajt të dhënash, përfshirë informacione personale të miliona punonjësve të seksit, kanë qenë të aksesueshme publikisht.
Studiuesit e sigurisë kibernetike zbuluan në mesin e shtatorit 2026 një bazë të dhënash Elasticsearch të pambrojtur, e cila përmbante informacione të ndjeshme si numra telefoni, adresa emaili, profile në rrjetet sociale, vendndodhje gjeografike dhe historikun e aktivitetit të përdoruesve.
Sipas studiuesve, të dhënat e ekspozuara përfshijnë:
- 258 milionë regjistrime që përmbajnë numra telefoni;
- 20 milionë regjistrime me adresa emaili;
- 54.3 milionë lidhje të profileve në Facebook;
- 58.7 milionë emra llogarish në X (Twitter);
- 9.8 milionë profile në Instagram;
- 215 milionë regjistrime me adresa IP;
- 2.53 milionë regjistrime me vendndodhje të sakta;
- Historikun e aktivitetit të përdoruesve në platformë.
Informacionet e ekspozuara u përkasin kryesisht punonjësve të seksit, bizneseve që ofrojnë shërbime për të rritur, por edhe përdoruesve që kanë kërkuar shërbime në platformë.
Lexo edhe: Lirohet nga burgu Arion Kurtaj, hakeri që publikoi pamjet e GTA 6 në vitin 2022
Ekspertët paralajmërojnë se personat e prekur përballen me rrezikun e diskriminimit, ngacmimeve dhe zbulimit të identitetit të tyre kundër dëshirës. Edhe familjarët mund të bëhen objekt ngacmimesh, ndërsa në vendet ku puna seksuale është e paligjshme, ekspozimi mund të sjellë pasoja ligjore.
Studiuesit theksojnë se numri i regjistrimeve të ekspozuara nuk përkon domosdoshmërisht me numrin e personave të prekur, pasi një individ mund të përdorë disa llogari ose të ketë kryer disa kërkime në platformë.
Pas njoftimit të kompanisë dhe autoriteteve amerikane të sigurisë kibernetike, baza e të dhënave u mbyll më 21 shtator 2026. Sipas raportimit, HOT.com ende nuk kishte dhënë një koment zyrtar mbi incidentin.



