Arion Kurtaj, hakeri që qëndron pas një prej rrjedhjeve më të bujshme të informacionit në historinë e industrisë së videolojërave, është liruar me kusht nga burgu, raporton BBC.
21-vjeçari nga Oxfordi u dënua me shtatë vite burg për një sërë sulmesh kibernetike, përfshirë atë ndaj Rockstar Games, kompanisë që zhvillon Grand Theft Auto. Megjithatë, gjykata vendosi ta lironte në të njëjtën ditë, duke marrë parasysh kohën që kishte kaluar në një spital të sigurisë së lartë dhe në paraburgim.
Kurtaj ishte vetëm 17 vjeç kur, në shtator të vitit 2022, arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar Games nga një dhomë hoteli, pavarësisht se policia i kishte konfiskuar kompjuterin. Për sulmin ai përdori një pajisje Amazon Fire Stick të lidhur me televizorin e dhomës.
Lexo edhe: Kush është Arjon Kurtaj, shqiptari që tronditi industrinë e lojrave
Hakeri arriti të siguronte 90 video me rreth 60 minuta pamje nga GTA 6, e cila në atë kohë ishte ende në zhvillim dhe mbahej në fshehtësi të madhe nga kompania.
Kurtaj depërtoi gjithashtu në sistemin e brendshëm të komunikimit të Rockstar Games, duke kërcënuar kompaninë me publikimin e kodit burimor të lojës. Pasi kompania nuk pranoi të bashkëpunonte, ai publikoi materialet e vjedhura në një forum online.
Si pjesëtar i grupit të njohur të hakerëve Lapsus$, Kurtaj kishte kryer sulme kibernetike edhe ndaj kompanive Uber dhe Revolut.
Fillimisht, ai ishte dërguar për një periudhë të pacaktuar në një spital të sigurisë së lartë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Më vonë, autoritetet e konsideruan të aftë për t’iu nënshtruar procesit gjyqësor.
Lexo edhe: GTA 6 shkakton polemika: Pamje me rituale satanike dhe sakrifica njerëzore bëhen virale
Pas lirimit, Kurtaj do të jetë subjekt i një urdhri pesëvjeçar për parandalimin e krimeve të rënda, i cili kufizon aktivitetin e tij në internet, përfshirë ndalimin e përdorimit të platformave Telegram dhe Discord.
Gjykatësi e përshkroi Kurtajn si një të ri shumë të talentuar, duke i kërkuar të mos i shpërdorojë aftësitë e tij duke iu rikthyer kriminalitetit.
“Mos lejo që kjo të ndodhë përsëri”, ishte paralajmërimi i gjykatësit për 21-vjeçarin.
BBC



