Anëtarë të Parlamentit dhe qeverisë gjermane janë paralajmëruar nga Apple se iPhone-t e tyre mund të jenë shënjestruar nga programe të avancuara spiunazhi (spyware). Lajmi është konfirmuar nga ministri gjerman i Digjitalizimit, Karsten Wildberger.
Sipas autoriteteve, paralajmërimet kanë nisur më 29 tetor, pasi Apple identifikoi përpjekje për sulme me të ashtuquajturin mercenary spyware, një teknologji e sofistikuar që përdoret për të përgjuar persona të caktuar.
Zyra Federale Gjermane për Sigurinë e Informacionit (BSI) u ka kërkuar politikanëve të prekur t’i trajtojnë telefonat si potencialisht të komprometuar. Megjithatë, ende nuk dihet nëse sulmet kanë pasur sukses, sa persona janë shënjestruar apo kush qëndron pas tyre.
Lexo edhe: “SMS i vdekjes”: Një mesazh i padukshëm mund të bllokojë telefonat Android dhe të ndërpresë thirrjet e urgjencës
Ky lloj spyware mund t’u japë sulmuesve akses në mesazhe private, telefonata, kontakte, vendndodhje dhe kalendarë, madje edhe të aktivizojë mikrofonin dhe kamerën e telefonit pa dijeninë e përdoruesit.
Apple thekson se këto sulme janë shumë më të sofistikuara se krimet e zakonshme kibernetike dhe zakonisht synojnë individë të profilit të lartë, si politikanë, gazetarë dhe aktivistë.
Autoritetet gjermane po hetojnë incidentin, ndërsa identiteti dhe motivet e autorëve mbeten të panjohura.

