19 nëntor 2026 – Dita që miliona lojtarë në mbarë botën kanë pritur prej vitesh më në fund ka ardhur! Rockstar Games ka publikuar zyrtarisht Grand Theft Auto VI (GTA 6), plot 13 vite pas lançimit të GTA 5 në vitin 2013.
Pas disa shtyrjeve, spekulimeve dhe videove promovuese që kanë mbledhur miliona shikime, loja është tashmë e disponueshme për PlayStation 5 dhe Xbox Series X|S. Për momentin, nuk është konfirmuar një datë publikimi për kompjuterët (PC).
GTA 6 i rikthen lojtarët në Vice City, qytetin e frymëzuar nga Miami, këtë herë si pjesë e shtetit imagjinar Leonida. Loja premton një botë të hapur më të detajuar, me qytete, plazhe, zona natyrore dhe aktivitete të shumta.
Lexo edhe: Kompania bëhet virale: Ofron 120 mijë dollarë në vit për të luajtur GTA 6
Për herë të parë në historinë e serisë, historia kryesore përfshin një protagoniste femër, Lucia Caminos, e cila së bashku me Jason Duval përfshihet në një rrjet krimi dhe konspiracionesh. Marrëdhënia mes tyre është në qendër të historisë së re.
Çmimi i versionit standard është 79.99 dollarë, ndërsa edicioni Ultimate kushton 99.99 dollarë. Lojtarët që e kanë porositur paraprakisht kanë pasur mundësinë ta shkarkojnë përpara lançimit, për të nisur lojën menjëherë pas aktivizimit.
Pritshmëritë ekonomike janë gjithashtu të jashtëzakonshme. Analistët e industrisë parashikojnë se GTA 6 mund të kthehet në një nga lançimet më fitimprurëse në historinë e argëtimit, megjithëse shifrat përfundimtare të shitjeve mbeten për t’u konfirmuar.
Dhe pas 13 vitesh me meme-n e famshme “We got this before GTA 6”, interneti më në fund mund të thotë: GTA 6 është këtu!


