Gjermania dhe Austria kanë propozuar që aktiviteti i TikTok në Europë të kalojë nën pronësinë dhe kontrollin europian. Sipas tyre, rregulloret ekzistuese nuk janë të mjaftueshme për të adresuar shqetësimet mbi sigurinë e të dhënave dhe funksionimin e algoritmeve të platformës kineze.
Ministri gjerman i Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer, dhe sekretari austriak i Shtetit për Digjitalizimin, Alexander Pröll, kanë kërkuar përmes një deklarate të përbashkët që Europa të marrë kontrollin edhe mbi infrastrukturën kryesore teknologjike të TikTok. Dy vendet synojnë të sigurojnë mbështetjen e shteteve të tjera të Bashkimit Europian gjatë takimit të Këshillit të Telekomunikacionit dhe Energjisë, më 2 dhjetor në Bruksel.
Lexo edhe: TikTok prezanton mjetin e ri kundër deepfake, politikanët mund të zbulojnë videot e rreme me imazhin e tyre
Propozimi vjen pasi më 6 nëntor, TikTok u vlerësua paraprakisht se kishte shkelur Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA), për shkak të mënyrës se si algoritmi i rekomandimeve i ekspozon përdoruesit ndaj përmbajtjeve potencialisht të dëmshme.
“TikTok nuk është më një lodër, por pjesë e infrastrukturës së demokracisë sonë. Kjo infrastrukturë nuk duhet të mbetet në duart e një rivali gjeopolitik”, deklaroi Pröll.
Gjermania dhe Austria synojnë të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku në janar, kompania mëmë e TikTok, ByteDance, ia kaloi kontrollin e aktivitetit amerikan të platformës një sipërmarrjeje të përbashkët me pronësi shumicë amerikane, pas kërcënimit për ndalimin e aplikacionit.
TikTok e ka kundërshtuar propozimin europian, duke e cilësuar atë si të pabazuar. Kompania argumenton se respekton legjislacionin europian, përfshirë DSA-në dhe GDPR-në, ndërsa ka investuar në programin Project Clover, me vlerë 12 miliardë euro, për sigurinë e të dhënave.
Gjithashtu, TikTok thekson se aktiviteti i tij në Europë menaxhohet nga kompani të regjistruara në Irlandë dhe Britaninë e Madhe, ndërsa shumica e aksioneve të ByteDance zotërohen nga investitorë institucionalë ndërkombëtarë. Sipas kompanisë, qeveria kineze nuk zotëron aksione në ByteDance.



