Rritja e investimeve në inteligjencën artificiale (AI), e nxitur nga risitë si ChatGPT, mund të mos japë përfitimet e pritura të produktivitetit, thotë një studim nga Oxford Economics.
Investimet globale private në AI janë ngritur në qiell, me një rritje prej 130% në tre vjet, nga 48 miliardë euro në 2020 në 110 miliardë euro në 2023, sipas Goldman Sachs Economics Research. Parashikimet sugjerojnë se kjo shifër mund të arrijë në 200 miliardë dollarë deri në vitin 2025.
Ky bum i investimeve ushqehet nga besimi se AI do të rrisë ndjeshëm produktivitetin ekonomik. Megjithatë, ekonomisti kryesor i Oxford Economics, Adam Slater, këshillon kujdes. Ai thotë se përfitimet reale të produktivitetit të AI mund të kërkojnë dekada për t’u materializuar.

Duke u mbështetur në parimet e profesorit të ekonomisë, Nicholas Crafts, Slater thekson se ndikimi fillestar i teknologjive të tilla me qëllime të përgjithshme mund të jetë minimal, apo ndoshta edhe negativ. Zbatimi i teknologjive të reja shpesh kërkon investime të konsiderueshme në pajisje, software dhe trajnim. Shumë kompani mund të hezitojnë të bëjnë këto investime, veçanërisht nëse kthimet nuk janë të menjëhershme.
Slater gjithashtu thekson se ndërsa AI mund të rrisë produktivitetin në sektorë të veçantë, ajo nuk garanton një normë të qëndrueshme rritjeje në të gjithë profesionet. Ai e krahason trajektoren e mundshme të AI me teknologjitë e kaluara si avionët supersonikë dhe energjia bërthamore, të cilat nuk i përmbushën premtimet e tyre transformuese.

Për më tepër, analiza e Slater vjen mes shqetësimeve për uljen e produktivitetit ekonomik, veçanërisht pas COVID-19. Philip Lowe, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Australisë, e theksoi këtë, duke deklaruar se sfida e vërtetë nuk është mungesa e ideve novatore, por konsensusi shoqëror për t’i zbatuar ato. Ai paralajmëroi se pa këtë konsensus, stagnimi ekonomik është një kërcënim real.




