Nëse ka një hapësirë ku mentaliteti i popullit shqiptar shpërfaqet i pafiltruar, ato janë rrjetet sociale. TikTok, Facebook e Instagram janë platforma të pacensurueshme, ku secili me të drejtën për të shprehur fjalën e tij, shpesh me anë të materialeve video, foto apo edhe thjesht komenteve jep votë-opinionin e tij mbi çështje nga ato më të thjeshtat të showbizz deri tek konfliktet më të mëdha të të gjitha kohërave.



Gjatë ditëve të fundit, lajmet mbi konfliktin Izrael-Palestinë kanë ndezur një debat të ri mes komentuesve shqiptarë, shumica prej të cilëve shprehen me urrejtje dhe sharje të rënda për shtetin e Izraelit. Shembujt nuk janë të paktë.
Në një kohë kur Qeveria Shqiptare dhe Kryeministri Rama kanë shprehur mbështetjen politike ndaj shtetit të Izraelit, në qiellin virtual të rrjeteve sociale është ngritur një tymnajë mallkimesh mbi këtë popull, ndoshta e padëshmuar më herët për një popull tjetër, një komb tjetër a një tjetër besim fetar.



Fakt që natyrshëm të bëjnë të pyesësh: Ku shkoi toleranca fetare në Shqipëri? Kjo vlerë që shpesh e kemi valvitur si flamur nëpër botë, herë si motiv për të zbutur pamjen e ashpër që kanë shqiptarët nga të huajt, herë për të rritur vetëvlerësimin e herë, siç duket, duke gënjyer veten.



A është ky rast flagrant, apo në të vërtetë shqiptarët nuk kanë qenë kurrë tolerantë me besimin fetar, kombësinë a origjinën e të tjerëve? Nga buron kjo urrejtje në vitin 2023, nga një popull që strehoi shumë familje hebreje gjatë Luftës së II Botërore, duke I shpëtuar ata nga duart e nazistëve? Çfarë ndodhi këto ditë me popull shqiptar paqedashës që i bëri të ngrejnë armët virtuale mbi kokat e Izraelitëve dhe të kërkojë zhdukjen e tyre?




