Një i ri përballë disa efektivëve të policisë, shkopinj gome dhe një fotografi që ka bërë xhiron e rrjetit. Këto janë pamjet që e vendosën Klevi Metajn në qendër të vëmendjes publike, pas protestës së studentëve të zhvilluar të martën në kryeqytet.
22-vjeçari nga Gjirokastra u filmua gjatë një përplasjeje fizike me rreth gjashtë efektivë të policisë. Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, ai shihet fillimisht duke ecur në trotuar, përpara se të goditet nga një efektiv. Situata përshkallëzohet më pas në një konfrontim me disa punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisur me shkopinj gome.
Por kush është i riu që tërhoqi kaq shumë vëmendje?
Klevi Metaj është 22 vjeç, me origjinë nga Gjirokastra, dhe sipas raportimeve ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
Një detaj që ka tërhequr vëmendje është edhe familja e tij. Klevi është djali i gazetares Brikena Metaj, korrespondente e News24 në Gjirokastër. Ndërkohë, sipas një deklarimi të Erla Mëhillit, babai i tij është punonjës i Policisë së Shtetit.

Kjo rrethanë ka nxitur diskutime në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë komentuar faktin se djali i një polici u gjend përballë forcave të rendit gjatë një proteste.
Fotografia që u kthye në simbol të protestës
Një nga imazhet më të shpërndara është fotografia e Klevi Metajt pranë kangjellave të Ministrisë së Arsimit, me duart e mbajtura pas shpine, pas ndërhyrjes së policisë.
Në fotografi, i riu shfaqet me rroba të çrregulluara dhe shenja të dukshme në fytyrë, ndërsa pranë tij ndodhen efektivë policie dhe një ambulancë.
Pamja ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa në rrjetet sociale ka nisur të qarkullojë edhe shprehja “Studenti i drejtësisë në kërkim të së drejtës”, si një përshkrim simbolik i përballjes së tij me policinë.
Çfarë tha Klevi Metaj nga spitali?
Pas incidentit, 22-vjeçari u dërgua në spital, ku u vizitua edhe nga deputetë të opozitës.
Në pamjet e publikuara nga vizita, Metaj shfaqet i shtrirë në krevatin e spitalit dhe flet shkurtimisht për atë që kishte ndodhur.
“Më goditën. Më kanë dëmtuar pak. Gjëra të vogla”, u shpreh ai, duke minimizuar dëmtimet e pësuara.
Ndërkohë, videot e përplasjes dhe fotografitë e publikuara pas incidentit kanë ngritur pyetje mbi proporcionalitetin e forcës së përdorur nga efektivët e policisë gjatë ndërhyrjes.
Rrethanat e plota të incidentit, veprimet e secilës palë dhe përgjegjësitë e mundshme mbeten për t’u sqaruar nga autoritetet kompetente.
Nga një student i Drejtësisë, emri i Klevi Metajt është kthyer brenda pak orësh në një nga më të përmendurit e protestës. Përtej interpretimeve që i janë bërë fotografisë së tij, incidenti ka rikthyer në vëmendje debatin mbi të drejtën e protestës, ndërhyrjet policore dhe kufijtë e përdorimit të forcës ndaj qytetarëve.



