Tre gjimnazistë të shkollës “Petro Nini Luarasi”, Luisa, Enio dhe Livieni, kanë krijuar një “dollap inteligjent” (Smart Locker), që u mundëson nxënësve të ruajnë celularët në mënyrë të sigurt gjatë procesit mësimor. Pajisja hapet përmes gjurmës së gishtit, ka kapacitet për tre telefona dhe një ekran që tregon identitetin e përdoruesit dhe të drejtat e aksesit. Sistemi mund të përdoret edhe nga mësuesit.
Në podkastin e Gogo.al, të rinjtë treguan se si e realizuan projektin duke ndarë detyrat mes programimit dhe ndërtimit fizik të pajisjes. Për funksionimin e saj përdorën platformën Arduino Mega, duke kombinuar njohuritë në elektronikë dhe kodim. Shpikja, e cila është vënë në përdorim, dëshmon se si kreativiteti dhe teknologjia mund të sjellin zgjidhje praktike për përditshmërinë në shkollë.

