Vendimi i qeverisë shqiptare për të emëruar një ministër të inteligjencës artificiale vijon të ndezë debat. Në një intervistë me Ermar Qorin në Report TV, eksperti i IT, Erion Demiri, deklaroi se ky hap është i nxituar, pasi mungon legjislacioni i duhur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel global.
“Legjislacioni ynë nuk është gati për një ministër AI. Madje, bota akoma nuk ka rregulluar funksionimin e inteligjencës artificiale. Modelet e AI nuk janë ende subjekt i asnjë ligji,” – u shpreh Demiri.
Ai shtoi se argumentet teknike kundër këtij vendimi janë të forta: “Reagimi i modeleve AI nuk është i njohur tërësisht as nga vetë zhvilluesit e tyre. Çdo ditë po shohim shembuj të vendimmarrjes së gabuar nga këto sisteme, dhe në shkencat ekzakte një shembull i vetëm mjafton për të hedhur poshtë një teori.”
Lexo edhe: Ministri i parë i AI në Shqipëri bën bujë ndërkombëtare – rrjetet shpërthejnë me reagime
Demiri ngriti shqetësimin se një “ministër AI” nuk mund të mbahet përgjegjës përpara ligjit: “Po e quajmë ‘Ministër’, por ky sistem nuk mund të jetë përgjegjës për vendimet e veta. Si mund t’i besohet menaxhimi i diçkaje të rëndësishme dhe me shumë pará, siç janë tenderimet? Kush do të mbajë përgjegjësinë për vendimet e gabuara? Apo faji do mbetet jetim?”
Deklaratat e tij kanë shtuar dyshimet mbi pasojat e këtij eksperimenti të paprecedent në Shqipëri, duke hapur një debat të ri mbi raportin mes teknologjisë, ligjit dhe transparencës në administratë.




