Një raport i Greenpeace ka rikthyer në vëmendje sigurinë e produkteve të industrisë së modës, duke zbuluar se në disa veshje të markës Zara janë identifikuar substanca kimike potencialisht të rrezikshme për shëndetin.
Sipas testimeve të kryera nga organizata në vitin 2012, ku u analizuan 141 veshje nga 29 vende dhe marka të ndryshme ndërkombëtare, disa produkte të Zara-s përmbanin nivele të larta të NPE-ve (Nonylphenol Ethoxylates), deri në 2,600 ppm, si dhe gjurmë të o-dianisidine, një substancë e klasifikuar si kancerogjene, në disa artikuj për fëmijë.

Ekspertët shpjegojnë se NPE-të shpërbëhen në nonylphenol (NP), një përbërës që mund të ndikojë në sistemin hormonal të njeriut. Studime të ndryshme e kanë lidhur ekspozimin ndaj tij me probleme si çrregullimet hormonale, infertiliteti, puberteti i hershëm dhe rritja e rrezikut për disa lloje kanceri, megjithëse niveli real i rrezikut për konsumatorët varet nga ekspozimi dhe faktorë të tjerë.

Pas publikimit të rezultateve, Zara njoftoi se do të ndërmerrte masa për të reduktuar përdorimin e këtyre substancave, duke kërkuar që furnitorët e saj të respektonin programin “Clear to Wear”, i cili vendos një kufi maksimal prej 100 ppmpër NPE-të në produktet e kompanisë.
Lexo edhe: SHEIN përballet me padi pas gjetjes së kimikateve toksike në rroba në nivele alarmante
Megjithatë, edhe pas më shumë se një dekade, kompania vazhdon të përballet me kritika nga organizatat mjedisore dhe të drejtave të punëtorëve, të cilat kërkojnë transparencë më të madhe mbi përbërjen kimike të produkteve dhe praktikat e prodhimit në industrinë globale të modës.




