Inxhinieri i informatikës Erion Demiri ka paralajmëruar ditën e djeshme përmes një postimi në profilin e tij në Facebook mbi një skemë të re mashtrimi që po qarkullon kohët e fundit në Shqipëri. Sipas tij, qytetarët po marrin mesazhe të rreme në emër të “Postës Shqiptare”, ku u kërkohet të paguajnë një tarifë prej 55 lekësh për një dërgesë të supozuar. Ky veprim, sipas Demirit, është një tentativë e qartë për të mashtruar dhe për të përfituar të dhënat personale apo bankare të qytetarëve.

Demiri thekson se bëhet fjalë për një skemë phishing, e cila nuk ka asnjë lidhje me institucionin zyrtar të Postës Shqiptare. Ai u bën thirrje qytetarëve që të mos klikojnë mbi lidhjet e dyshimta dhe të mos japin asnjë informacion personal apo pagesë përmes tyre.

Paralajmërimi i Demirit vjen në një kohë kur raste të tilla mashtrimi janë në rritje dhe kërkohet vigjilencë maksimale nga publiku për të mos rënë pre e tyre.








1 Comment
Pingback: Telefonata të rreme që frikësojnë qytetarët: “Familjari juaj është rrëmbyer” - Technews.al