Elon Musk ka nisur një padi antitrust në SHBA kundër Apple dhe OpenAI, duke i akuzuar se po bashkëpunojnë për të frenuar konkurrencën në tregun e inteligjencës artificiale. Sipas padisë 61-faqëshe të depozituar nga xAI dhe X Corp në një gjykatë federale në Teksas, Apple po përdor partneritetin me OpenAI për të mbrojtur dominimin e saj në tregun e smartphone-ve, ndërsa favorizon ChatGPT në renditjen e aplikacioneve në App Store, në dëm të rivalëve si Grok, chatbot-i i xAI.
Në dokument, Apple paraqitet si një kompani që sheh inteligjencën artificiale si “kërcënim ekzistencial” për suksesin e saj dhe për këtë arsye ka zgjedhur të lidhet me OpenAI. Musk pretendon se kjo aleancë po i jep ChatGPT përparësi të padrejtë, duke e shndërruar atë në motorin kryesor të përgjigjeve për përdoruesit e iPhone, ndërkohë që aplikacione të tjera të AI mbeten të kufizuara në mundësitë e tyre për të arritur tek publiku.
Lexo edhe: Elon Musk kërcënon të padisë Apple që nuk renditi X dhe Grok ndër aplikacionet më të mira
Padia e Musk pason akuza të mëhershme se OpenAI ka tradhtuar misionin e saj fillestar si organizatë jofitimprurëse dhe tani vepron vetëm për përfitime ekonomike. Nga ana tjetër, OpenAI e ka cilësuar këtë padi si pjesë e një “modeli ngacmues” nga Musk, ndërsa Apple ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar. Çështja pritet të thellojë edhe më shumë debatin mbi ndikimin e partneriteteve mes gjigandëve teknologjikë dhe mënyrën si po formësohet e ardhmja e inteligjencës artificiale./Euronews.com





1 Comment
Pingback: OpenAI po përgatit një aplikacion të ngjashëm me TikTok - Technews.al