Suedia ka vendosur të kufizojë përdorimin e ChatGPT dhe Claude nga punonjësit e administratës shtetërore, duke ngritur shqetësime për sigurinë e informacionit dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive. Sipas rregullave të reja, në mjediset e punës do të lejohen vetëm mjetet e inteligjencës artificiale të miratuara nga autoritetet, si Microsoft Copilot.
Vendimi vjen pas një auditimi të brendshëm në Administratën Suedeze të Transportit, ku u identifikuan raste problematike të përdorimit të inteligjencës artificiale. Hetimi ngriti shqetësime për ndarjen e informacioneve konfidenciale me platforma AI të pakontrolluara, si dhe për mënyrën se si përdoren përgjigjet e gjeneruara nga këto sisteme.
Mikael Wettercrantz, drejtues i teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit, paralajmëroi se përdorimi i shërbimeve AI pa miratimin e institucioneve mund të ketë pasoja për sigurinë e informacionit në Suedi.
Lexo edhe: A mund të korruptohet inteligjenca artificiale? Ja disa raste që tregojnë se si AI mund të manipulohet
Megjithatë, ndalimi nuk është absolut. Disa punonjës do të mund të vazhdojnë të përdorin ChatGPT dhe Claude përmes një platforme të posaçme të zhvilluar nga autoritetet suedeze, e cila synon të garantojë kontroll më të madh mbi të dhënat.
Sipas transmetuesit publik Sveriges Radio, kufizime të ngjashme janë vendosur edhe në Administratën Tatimore Suedeze dhe Bordin Kombëtar të Kujdesit Institucional, ndërsa Autoriteti i Përmbarimit po shqyrton masa të ngjashme. Suedia kishte kufizuar më parë edhe përdorimin e DeepSeek.
Vendimi tregon shqetësimin në rritje të institucioneve publike për përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë. Ndërsa këto mjete mund të rrisin produktivitetin, përdorimi i tyre pa kontrolle të qarta mund të ekspozojë informacione konfidenciale dhe të krijojë rreziqe për sigurinë kombëtare.

