Një hetim i ri ngre shqetësime serioze për privatësinë e përdoruesve të televizorëve inteligjentë LG. Sipas testimeve të kryera nga kanali Gamers Nexus, në bashkëpunim me Level1Techs dhe studiues të pavarur të sigurisë, disa modele LG OLED regjistrojnë dhe mbledhin vazhdimisht të dhëna për pajisjet dhe ambientin përreth. Televizorët u kapën duke skanuar rrjetin lokal për pajisje si smartphone apo smartwatch, si dhe duke mbledhur informacione për rrjetet Wi-Fi dhe vendndodhjen.
Edhe më shqetësues është pretendimi se televizorët mund të regjistrojnë të dhëna audio përmes mikrofonit edhe kur ndodhen në standby. Sipas hetimit, kjo mund të vazhdojë edhe kur televizori shkëputet nga interneti: të dhënat ruhen lokalisht dhe mund të transmetohen pasi lidhja rikthehet. Testet gjithashtu identifikuan përdorimin e teknologjisë Automatic Content Recognition (ACR), e cila analizon mostra audio dhe video për të kuptuar se çfarë po shikon përdoruesi, përfshirë përmbajtjen që vjen nga pajisje të lidhura përmes HDMI.
Lexo edhe: TCL në IFA 2026: Televizorë Mini LED më të ndritshëm dhe soundbar me 22 altoparlantë

Megjithatë, ACR nuk është një teknologji që përdoret vetëm nga LG. Testime të RTINGS tregojnë se sisteme të ngjashme përdoren gjerësisht nga prodhuesit e Smart TV-ve për të identifikuar zakonet e shikimit. Rasti rikthen debatin mbi atë se sa “smart” duhet ta lejojmë të jetë televizori ynë, veçanërisht kur të dhënat e mbledhura mund të përdoren për profilizim dhe reklama. Gamers Nexus e paraqet hetimin edhe si një arsye tjetër pse përdoruesit duhet të mendojnë dy herë përpara se ta lidhin televizorin inteligjent me internetin.




