Instagram ka nisur shpërndarjen e një funksioni të ri që u jep përdoruesve më shumë kontroll mbi pamjen e profilit të tyre. Kreu i Instagram, Adam Mosseri, njoftoi se tashmë një foto apo video e publikuar nga dikush tjetër, ku ju jeni bërë tag, mund të shtohet direkt në grid-in kryesor të profilit, përkrah postimeve tuaja. Deri tani, këto publikime shfaqeshin kryesisht në seksionin e veçantë “Tagged”.
Funksioni quhet “Add to grid” dhe mund të përdoret në disa mënyra: nga njoftimi që merrni në DM kur dikush ju bën tag, nga menuja e postimit ose duke mbajtur shtypur postimin në seksionin “Tagged”. Postimi origjinal nuk kopjohet dhe nuk ndryshon pronar; ai vazhdon të qëndrojë në profilin e personit që e ka publikuar, ndërsa ju mund ta hiqni nga grid-i juaj në çdo moment pa e fshirë postimin origjinal.
Lexo edhe: Instagram heq enkriptimin “end-to-end” nga mesazhet: Çfarë do të thotë për privatësinë tuaj?
Ky ndryshim mund të jetë veçanërisht interesant për fotot me miqtë, udhëtimet, eventet, bashkëpunimet mes creator-ëve dhe fushatat e brandeve. Në vend që ta ripublikoni të njëjtën foto vetëm që të shfaqet në profilin tuaj, tani mjafton ta shtoni atë në grid. Mosseri e cilësoi si një ndryshim të vogël, por që duhet t’u japë përdoruesve më shumë kontroll mbi profilin. Funksioni po shpërndahet gradualisht globalisht, ndaj mund të mos jetë ende aktiv për çdo llogari.
Po renditja e fotove në profil?
Postimet e shtuara nga “Tagged” vendosen fillimisht sipas renditjes së grid-it, por Instagram tashmë ofron edhe funksionin “Reorder your grid”, që lejon ndryshimin manual të pozicionit të postimeve. Kjo do të thotë se përdoruesit mund të zgjedhin jo vetëm çfarë të shfaqin në profil, por edhe ku ta vendosin.
Në praktikë, Instagram po e kthen grid-in gjithnjë e më shumë nga një kronologji e thjeshtë e postimeve tuaja në një hapësirë që mund ta kurosh sipas dëshirës.




