Instagram ka prezantuar një nga përditësimet më të kërkuara nga krijuesit e përmbajtjes. Shefi i platformës, Adam Mosseri, njoftoi se përdoruesit tashmë mund të ndryshojnë muzikën e një postimi ose carousel-i edhe pasi ai është publikuar, pa qenë nevoja ta fshijnë dhe ta publikojnë sërish.
Deri më sot, nëse zgjidhnit një audio të gabuar ose dëshironit ta zëvendësonit me një këngë që ishte bërë virale, zgjidhja e vetme ishte fshirja e postimit. Kjo nënkuptonte humbjen e komenteve, pëlqimeve dhe shpesh edhe të shpërndarjes që postimi kishte fituar.
Me përditësimin e ri, mjafton të hapni postimin, të prekni tre pikat (•••), të zgjidhni Edit (Ndrysho) dhe më pas të zëvendësoni audion me një tjetër. Postimi mbetet i njëjti, ndërsa muzika mund të ndryshohet në vetëm pak sekonda.
Lexo edhe: Instagram ndryshon formatin e postimeve: Ja dimensioni i ri për carousel-et
Ky funksion pritet të jetë veçanërisht i dobishëm për krijuesit e përmbajtjes, bizneset dhe menaxherët e rrjeteve sociale, të cilët mund të përshtatin postimet me trendet e reja muzikore pa humbur angazhimin që kanë krijuar tashmë. Është një tjetër hap i Instagram drejt fleksibilitetit më të madh në menaxhimin e përmbajtjes, ndërsa platforma vazhdon të konkurrojë me TikTok dhe rrjetet e tjera sociale.




