Policia Metropolitane e Londrës ka nisur testimin e një aplikacioni të ri që përdor teknologjinë e njohjes së fytyrës për të identifikuar personat e dyshuar për krime brenda pak sekondash.
Përmes telefonit të punës, oficerët mund të fotografojnë një person dhe ta krahasojnë imazhin me fotografitë e ruajtura në bazën e të dhënave të personave të ndaluar më parë nga policia.
Në fazën e parë, 100 oficerë janë trajnuar për përdorimin e teknologjisë, e cila do të testohet për gjashtë muaj në qendër të Londrës dhe në dy qendra paraburgimi në Croydon dhe Brixton.
Aplikacioni do të përdoret vetëm për identifikimin e personave të dyshuar për një vepër penale ose që konsiderohen rrezik për veten apo të tjerët. Oficerët duhet t’i informojnë personat përpara se t’u bëjnë fotografi, por nuk kërkohet domosdoshmërisht pëlqimi i tyre.
Megjithatë, policia nuk mund ta detyrojë një person të fotografohet përmes këtij aplikacioni. Në rast refuzimi, oficerët duhet të ndjekin procedurat e zakonshme, të cilat mund të përfshijnë shoqërimin në komisariat kur ekziston baza ligjore.
Lexo edhe: Një francez krijon aplikacionin që gjurmon lëvizjet e policisë gjatë protestave në kohë reale
Teknologjia nuk do të përdoret për fëmijët nën 13 vjeç, ndërsa personat nën 18 vjeç do të përjashtohen gjatë muajit të parë të testimit.
Gjatë një demonstrimi për gazetën The Telegraph, aplikacioni arriti të identifikonte një gazetar me një rezultat përputhjeje prej 8,900 pikësh nga 9,999, ndërkohë që pragu i pranimit ishte 6,600 pikë. Fotografia e gazetarit ishte futur paraprakisht në sistem për qëllime testimi.
Policia argumenton se aplikacioni do të ndihmojë në identifikimin më të shpejtë të personave që refuzojnë të tregojnë identitetin e tyre, duke kursyer kohë dhe burime.
Megjithatë, përdorimi i teknologjisë ka ngritur shqetësime për privatësinë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe mundësinë e identifikimeve të gabuara.
Testimi gjashtëmujor pritet të ndihmojë autoritetet të vlerësojnë efektivitetin e sistemit dhe kufizimet e tij përpara se të vendosin nëse do ta zgjerojnë përdorimin.


