Një pamje spektakolare nga Rio de Zhaneiro në Brazil ka mahnitur përdoruesit e rrjeteve sociale. Statuja e famshme e Krishtit Shëlbues është shfaqur mbi një det resh, duke krijuar iluzionin sikur qëndron pezull në qiell.
Një shtresë e dendur resh ka mbuluar malin Corcovado, duke fshehur pjesërisht monumentin dhe peizazhin përreth. Ndërkohë, mjegulla që zbret përgjatë malit ngjan me një ujëvarë gjigante.
Pamjet, të publikuara të shtunën në rrjetet sociale, kanë tërhequr vëmendjen e përdoruesve për atmosferën e pazakontë dhe pothuajse surreale që ka krijuar ky fenomen natyror.
Me krahët e hapur mbi re, statuja duket sikur qëndron mes qiellit dhe tokës, duke krijuar një imazh që ngjan më shumë me një pikturë sesa me një skenë reale.
Fenomeni natyror i ka dhënë një tjetër dimension një prej monumenteve më të njohura në botë, duke e kthyer atë në një spektakël të jashtëzakonshëm vizual.



