Një nga misteret më të mëdha të matematikës mund të jetë zgjidhur falë inteligjencës artificiale. Matematikani Levent Alpöge, i lidhur me Universitetin e Harvardit dhe kompaninë Anthropic, pretendon se ka arritur të vërtetojë Hipotezën e Riemann-it me ndihmën e asistentit Claude.
“Besoj se, duke punuar me Claude, kam zbuluar një provë të Hipotezës së Riemann-it”, deklaroi Alpöge në një dokument të publikuar së fundmi.
Hipoteza e Riemann-it u formulua në vitin 1859 nga matematikani gjerman Bernhard Riemann dhe konsiderohet një nga problemet më të rëndësishme të pazgjidhura në histori. Ajo lidhet me mënyrën se si shpërndahen numrat e thjeshtë, si 2, 3, 5, 7 dhe 11, të cilët luajnë një rol themelor në matematikë dhe kriptografi.
Lexo edhe: Anthropic vlerësohet më shumë se ekonomia e Arabisë Saudite, sipas raportimeve për debutimin në bursë
Për më shumë se 160 vjet, matematikanët janë përpjekur ta vërtetojnë këtë hipotezë, pa arritur një zgjidhje të pranuar. Ajo është një nga shtatë Problemet e Mijëvjeçarit, për të cilat Instituti Clay i Matematikës ka vendosur një çmim prej 1 milion dollarësh për secilën zgjidhje të vlefshme.
Për të mbështetur pretendimin e tij, Alpöge ka publikuar miliona rreshta kodi në gjuhën programuese Lean, një sistem që përdoret për verifikimin formal të provave matematikore.
Sipas tij, prova e zhvilluar me Claude përfshin më shumë se 250 mijë faqe, ndaj ende nuk është paraqitur në formën e një studimi tradicional shkencor.
Megjithatë, zgjidhja nuk është konfirmuar ende nga komuniteti shkencor. Matematikanë të tjerë duhet të shqyrtojnë dhe verifikojnë provën përpara se Hipoteza e Riemann-it të konsiderohet zyrtarisht e zgjidhur.
Nëse pretendimi rezulton i saktë, kjo do të ishte jo vetëm një arritje historike për matematikën, por edhe një dëshmi e potencialit të inteligjencës artificiale për të ndihmuar shkencëtarët të zgjidhin probleme që kanë mbetur pa përgjigje për breza të tërë.
Vetë Alpöge e sheh këtë zhvillim si fillimin e një epoke të re për shkencën.
“Ajo që pashë gjatë këtij procesi më mahniti aq shumë, sa besoj se po dëshmojmë agimin e diçkaje shumë më të madhe në shkencë”, u shpreh ai.


