Instagram po merr masa kundër vjedhjes së përmbajtjeve në platformë, veçanërisht pas shtimit të rasteve kur personazhe të krijuara me inteligjencë artificiale përdorin batutat dhe skenarët e komedianëve të vërtetë.
Drejtuesi i Instagramit, Adam Mosseri, ka njoftuar prezantimin e funksionit të ri Content Protection, i cili do t’i ndihmojë krijuesit të zbulojnë kur videot e tyre kopjohen nga llogari të tjera.
Funksioni do t’i njoftojë automatikisht krijuesit kur Instagram identifikon një kopje të videos së tyre. Ata mund të zgjedhin ta fshehin kopjen, të monitorojnë përdorimin e saj ose të shtojnë një lidhje që drejton përdoruesit te përmbajtja origjinale.
Por problemi po bëhet edhe më kompleks me inteligjencën artificiale. Disa llogari po krijojnë komedianë virtualë që tregojnë batuta të vjedhura nga artistë të vërtetë, duke ndryshuar vetëm pamjen e personazhit në video. Disa prej këtyre videove janë bërë virale, ndërsa përdoruesit nuk e kuptojnë se personazhet nuk janë njerëz realë.
Lexo edhe: Instagram sjell funksionin e shumëpritur: Tani mund të ndryshoni Story-t edhe pas publikimit
Për këtë arsye, Instagram po teston edhe një sistem që mund të identifikojë skenarët dhe batutat e kopjuara, edhe kur pamjet janë ndryshuar plotësisht me IA. Aktualisht, kjo teknologji po testohet me një numër të kufizuar krijuesish.
Raste të tilla janë denoncuar nga komedianët George Brett Olson dhe Julia Jasunas, të cilët zbuluan se batutat e tyre po përdoreshin nga personazhe virtualë pa leje.
“Një tjetër robot me IA më vodhi batutën”, u shpreh Jasunas, duke ngritur shqetësimin se këto video po bëhen virale dhe shumë njerëz besojnë se personazhet janë realë.
Mosseri pranoi se sistemi i ri nuk do të jetë i përsosur që në fillim, por premtoi se Instagram do të vazhdojë ta përmirësojë.
Funksioni Content Protection do të jetë fillimisht i disponueshëm për krijuesit që plotësojnë kriteret e platformës, të cilët do të marrin një njoftim për t’u regjistruar në shërbim.
Nisma synon të mbrojë krijimtarinë origjinale në një kohë kur inteligjenca artificiale po e bën gjithnjë e më të lehtë kopjimin e përmbajtjeve dhe paraqitjen e tyre si krijime të reja.



