Teknologjia po merr një rol gjithnjë e më të madh në monitorimin e qarkullimit rrugor në Shqipëri. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se drejtuesit e mjeteve që bllokojnë trafikun apo shkelin rregullat nuk do të përballen vetëm me patrullat e policisë, por edhe me dronët që do t’i monitorojnë nga ajri.
Në një reagim publik, ministri u bëri thirrje shoferëve të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke theksuar se askush nuk mund të krijojë bllokime apo të sillet si i privilegjuar në dëm të qytetarëve të tjerë. “Nëse mendoni se mund të bëni ç’të doni në trafik, përshëndeteni dronin sipër jush dhe prisni patrullën më të afërt me gjobën tuaj”, ishte mesazhi i tij.
Sipas njoftimit, dronët e Policisë së Shtetit do të përdoren për të evidentuar shkeljet në kohë reale, ndërsa së shpejti këtij sistemi do t’i shtohen edhe kamerat inteligjente të projektit Smart City, të cilat do të monitorojnë akset kombëtare dhe rrugët kryesore të vendit.
Lexo edhe: Smart Home, shtëpia inteligjente apo shtëpia e survejuar? Rreziqet e pajisjeve IoT
Përdorimi i dronëve shënon një zgjerim të mbikëqyrjes teknologjike në hapësirat publike. Autoritetet argumentojnë se kjo do të ndihmojë në identifikimin më të shpejtë të shkelësve dhe në përmirësimin e sigurisë rrugore, ndërsa përdorimi i sistemeve inteligjente të monitorimit pritet të zgjerohet edhe më tej në të ardhmen.
Me kombinimin e survejimit nga ajri, kamerave inteligjente dhe patrullave në terren, kontrolli i trafikut në Shqipëri pritet të mbështetet gjithnjë e më shumë te teknologjia, duke ndryshuar mënyrën se si evidentohen dhe ndëshkohen shkeljet e Kodit Rrugor.




