Xiaomi merr pjesë për herë të parë në IFA 2026 në Berlin me një hapësirë prej më shumë se 3,300 metrash katrorë dhe një mesazh të qartë: e ardhmja e kompanisë nuk kufizohet më vetëm te smartphone-t, tabletët dhe pajisjet wearable. Strategjia e re “Human × Car × Home” synon të krijojë një ekosistem të vetëm ku teknologjia personale, shtëpia inteligjente dhe makinat elektrike funksionojnë të ndërlidhura.
Në qendër të këtij vizioni është inteligjenca artificiale. Xiaomi synon të kalojë nga një AI që thjesht pret komandat e përdoruesit, te një sistem që kupton kontekstin dhe vepron paraprakisht. Për shembull, kur përdoruesi është duke u kthyer me makinë në shtëpi, sistemi mund të përdorë vendndodhjen, orën dhe kushtet atmosferike për të rregulluar ndriçimin dhe temperaturën përpara mbërritjes. Një komandë si “printo fotografinë që sapo bëra” mund të lidhë automatikisht smartphone-in me printerin, ndërsa dritat, perdet dhe temperatura mund të përshtaten sipas aktivitetit të përdoruesit.

Lexo edhe: ”Shtëpia e së ardhmes”… AI, robotikë dhe teknologji inteligjente në IFA 2026
HyperOS bëhet “truri” që lidh gjithçka
Në themel të ekosistemit qëndron Xiaomi HyperOS, sistemi që lidh pajisjet dhe shërbimet e ndryshme të kompanisë. Xiaomi prezantoi gjithashtu modelet e veta të AI, përfshirë MiMo-V2.5-Pro, Xiaomi Miloco dhe Xiaomi Miclaw, të zhvilluara për të përmirësuar arsyetimin, automatizimin dhe realizimin e detyrave më komplekse.
Një rol gjithnjë e më të madh në strategjinë e kompanisë po merr Xiaomi Auto. Në Berlin, kompania prezantoi tre automjete, përfshirë konceptin virtual Xiaomi Vision Gran Turismo, gjeneratën e re të Xiaomi SU7 dhe versionin sportiv SU7 Ultra. Ideja është që makina të mos funksionojë si një produkt i izoluar, por si një tjetër pjesë e ekosistemit, e aftë të komunikojë me telefonin, pajisjet smart të shtëpisë dhe shërbimet digjitale.

Xiaomi Auto synon Europën në 2027
Sipas Xiaomi, që prej hyrjes në tregun e makinave elektrike në mars 2024, Xiaomi Auto ka kaluar 700 mijë automjete të dorëzuara në Kinën kontinentale. Hapi tjetër është Europa, ku debutimi është planifikuar për vitin 2027, me Gjermaninë mes tregjeve të synuara.
Në IFA u shfaq edhe CyberOne, roboti humanoid i Xiaomi. Përveç demonstrimeve me publikun, kompania thotë se po e teston robotin edhe në fabrikën e saj të automobilave. Gjatë katër muajve të testimit, sipas Xiaomi, saktësia dhe shkalla e suksesit në kryerjen e detyrave janë rritur nga 90% në 98%.

Edhe Mijia zgjerohet në Europë
IFA 2026 shënon gjithashtu zgjerimin europian të Mijia, markës së Xiaomi për shtëpinë inteligjente. Ekosistemi përfshin mbi 130 kategori dhe rreth 2,000 pajisje, nga elektroshtëpiaket dhe kondicionerët te pajisjet e pastrimit, sigurisë dhe argëtimit, të cilat mund të menaxhohen përmes aplikacionit Xiaomi Home.
Me këtë prezantim, Xiaomi kërkon të tregojë se po transformohet nga një kompani e njohur kryesisht për telefonat në një ekosistem teknologjik shumë më të gjerë. Telefoni, makina, pajisjet e shtëpisë dhe madje robotët humanoidë po bëhen pjesë e së njëjtës strategji, me AI dhe HyperOS si elementet që duhet t’i bëjnë të gjitha të komunikojnë mes tyre.




