Ndërprerja globale e shërbimeve të Microsoft po shkakton probleme serioze në shkolla, shërbime shëndetësore dhe biznese, të cilat mbështeten çdo ditë te platformat e kompanisë për komunikim dhe organizimin e punës.
Problemet kanë prekur veçanërisht Outlook dhe Teams, duke penguar përdoruesit të dërgojnë apo marrin emaile dhe të komunikojnë me kolegët. Megjithatë, ndërprerja nuk ka qenë e njëjtë për të gjithë: disa përdorues mund të hyjnë në Teams, ndërsa emailet e tyre nuk përditësohen.
Sipas ekspertit të sigurisë kibernetike Jake Moore nga ESET, problemi lidhet me daljen jashtë funksionit të disa serverëve, duke detyruar serverët e mbetur të përballojnë një fluks shumë më të madh të dhënash.
Lexo edhe: Microsoft në krizë globale: Outlook, Teams dhe Copilot jashtë funksionit prej më shumë se 12 orësh
Moore e krahasoi situatën me një autostradë ku mbyllet një korsi dhe i gjithë trafiku detyrohet të kalojë në korsitë e mbetura, duke shkaktuar ngadalësim dhe bllokime.
Microsoft ka njoftuar se po vëren rezultate pozitive në stabilizimin e shërbimeve dhe rritjen e kapacitetit të serverëve. Kompania po i zgjeron masat e rikuperimit në rajonet e prekura, ndërsa ekipet teknike vazhdojnë të monitorojnë situatën.
Ndërprerja ka rikthyer në vëmendje një problem të rëndësishëm: varësinë e institucioneve dhe bizneseve nga një numër i kufizuar platformash teknologjike.
Ekspertët paralajmërojnë se kompanitë duhet të kenë plane alternative komunikimi dhe pune për raste të tilla, pasi një problem teknik në një platformë globale mund të ndikojë njëkohësisht miliona përdorues.
Burimi: BBC News, 13 nëntor 2026.


