Sa kushton një video politike që duket si mendim personal? Deri në 2 mijë dollarë. Një eksperiment i organizatës NewsGuard ka zbuluar se disa influencerë amerikanë ishin të gatshëm të publikonin përmbajtje politike me pagesë, pa e deklaruar atë si reklamë.
Për të realizuar testin, NewsGuard krijoi një kompani fiktive konsulence, të quajtur R&H Strategies, e cila kontaktoi 60 influencerë politikë në SHBA. Atyre iu ofruan nga 750 deri në 2,000 dollarë për një video njëminutëshe në TikTok, në mbështetje të një kandidati për Kongresin amerikan.
Kushti ishte që ndjekësit të mos informoheshin për pagesën. Nga 60 influencerët e kontaktuar, 21 shprehën interes për ofertën, pavarësisht këtij kushti. Vetëm pesë e refuzuan, ndërsa dy kërkuan sqarime mbi detyrimin për të mos e zbuluar marrëveshjen.
Lexo edhe: Një francez krijon aplikacionin që gjurmon lëvizjet e policisë gjatë protestave në kohë reale
Eksperimenti tregoi se 40% e influencerëve me prirje të majta shprehën interes, krahasuar me 30% të atyre me prirje të djathta. Më të gatshëm për të pranuar rezultuan krijuesit me 50 mijë deri në 150 mijë ndjekës.
Oferta nuk ishte reale dhe asnjë pagesë nuk u krye në kuadër të eksperimentit. Megjithatë, rezultatet ngrenë shqetësime për propagandën e fshehtë politike në rrjetet sociale, ku përmbajtjet e sponsorizuara mund t’u paraqiten qytetarëve si opinione të sinqerta dhe të pavarura.
Kur një influencer paguhet për të mbështetur një politikan, por nuk e deklaron pagesën, ndjekësit nuk po shohin thjesht një opinion. Ata po shohin një reklamë politike të maskuar.


