Disa nga faqet më të vizituara në botë, përfshirë Zoom, HSBC, Equifax, CNN, Salesforce dhe IKEA, janë prekur nga një sulm kibernetik që synonte vjedhjen e kriptomonedhave dhe informacioneve financiare të përdoruesve.
Sipas një hetimi të publikuar më 17 nëntor, sulmi preku faqet e internetit të 178 organizatave, duke përfshirë banka, kompani teknologjike, media dhe biznese ndërkombëtare.
Hakerët shfrytëzuan një dobësi sigurie në Optimizely, një platformë që përdoret nga kompanitë për të përmirësuar funksionimin e faqeve të tyre. Përmes saj, ata arritën të shpërndanin kod keqdashës te vizitorët e faqeve, pa qenë e nevojshme të depërtonin drejtpërdrejt në sistemet e secilës kompani.
Kodi ishte krijuar për të zëvendësuar adresat e portofolave të kriptomonedhave me ato të hakerëve, duke devijuar pagesat. Ai synonte gjithashtu të vidhte të dhënat e kartave bankare, informacionet e ruajtura në shfletues dhe pamje të ekranit.
Lexo edhe: Visa dhe JPMorgan Chase në shënjestër të hakerëve, ultimatum 48-orësh për publikimin e të dhënave
Në shënjestër ishin edhe përdoruesit e iPhone dhe iPad. Sipas ekspertëve të sigurisë, kodi përmbante mjete që synonin të shfrytëzonin dobësi të sistemit iOS. Apple ka sqaruar se këto dobësi ishin korrigjuar më parë dhe përdoruesit me sistem të përditësuar ishin të mbrojtur.
Optimizely e ka konfirmuar incidentin dhe ka njoftuar se dobësia është korrigjuar, ndërsa kodi i rrezikshëm është hequr. Disa prej kompanive të prekura kanë nisur hetime të brendshme, ndërsa Equifax ka deklaruar se nuk ka gjetur prova të komprometimit të sistemeve të saj.
Sipas studiuesve të sigurisë, portofolat e lidhur me sulmuesit kanë marrë rreth 7 mijë dollarë në kriptomonedha. Megjithatë, përmasat e plota të vjedhjes së mundshme të të dhënave nuk janë përcaktuar ende.
Rasti tregon se edhe faqet e kompanive më të mëdha në botë mund t’i ekspozojnë përdoruesit ndaj rreziqeve, kur një shërbim i jashtëm që ato përdorin komprometohet.


