TikTok ka nisur prezantimin e një funksioni të ri të quajtur Likeness Detection, i cili synon të mbrojë politikanët, figurat publike dhe krijuesit e përmbajtjeve nga videot e rreme të krijuara me inteligjencë artificiale.
Mjeti do t’u mundësojë përdoruesve të identifikojnë përmbajtje që përdorin fytyrën ose imazhin e tyre pa autorizim. Ai u drejtohet veçanërisht politikanëve, përfaqësuesve të qeverive dhe llogarive të partive politike, të cilët shpesh bëhen objekt i fushatave të dezinformimit.
Si funksionon? Përdoruesit që plotësojnë kriteret duhet fillimisht të verifikojnë identitetin përmes një partneri të besuar. Më pas, TikTok i njofton kur zbulon video ose llogari që mund të përdorin imazhin e tyre. Përmbajtjet e dyshimta mund të raportohen drejtpërdrejt për shqyrtim nga ekipi i sigurisë së platformës.
Nisma vjen në një moment kur Europa po përballet me një rritje të përmbajtjeve deepfake, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Me nëntë vende europiane që pritet të zhvillojnë zgjedhje gjatë 12 muajve të ardhshëm, lufta kundër manipulimit digjital po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
Ndërkohë, Bashkimi Europian ka vendosur rregulla të reja transparence për inteligjencën artificiale përmes AI Act, duke kërkuar identifikimin e përmbajtjeve të krijuara ose manipuluara me IA.
TikTok ka prezantuar gjithashtu mjetin falas Identify AI-Generated Content, i cili mund të përdoret edhe nga persona që nuk kanë një llogari në platformë.
Përdoruesit mund të ngarkojnë një foto ose video për të kontrolluar nëse ajo është krijuar apo modifikuar me mjetet e inteligjencës artificiale të TikTok dhe aplikacioneve të ByteDance, si CapCut, Dreamina, Hypic dhe Pippit.
Megjithatë, ky kontroll nuk garanton zbulimin e çdo përmbajtjeje të krijuar me IA, pasi fokusohet te materialet e prodhuara ose modifikuara me mjetet e kompanisë.
Me këto funksione, TikTok synon të kufizojë përhapjen e videove mashtruese dhe të mbrojë identitetin digjital të përdoruesve, veçanërisht në një kohë kur dallimi mes një videoje reale dhe një deepfake po bëhet gjithnjë e më i vështirë.



