Google ka prezantuar Passkeys, një zgjidhje e re kriptografike për ruajtjen e të dhënave, si një alternativë më e sigurtë dhe më e përshtatshme ndaj fjalëkalimeve tradicionale.
Passkeys mund të zëvendësojë fjalëkalimet, dhe sistemet e verifikimit me dy hapa, me një PIN lokal ose vërtetimin biometrik në një pajisjeje, si për shembull një gjurmë gishti ose një ID të fytyrës. Passkeys do të ruhen vetëm në pajisjen e një përdoruesi, duke ofruar siguri dhe mbrojtje më të madhe, pasi përdoruesit nuk do të humbin të dhënat e tyre nga sulmet phishing.
Passkey për llogaritë e Google ruhen në çdo pajisje, si iPhone me iOS 16, dhe pajisjet Android me Android 9, dhe mund të ndahen me pajisje të tjera duke përdorur shërbime si iCloud, ose aplikacionet për menaxhimin e fjalëkalimeve si Dashlane dhe 1Password. Sidoqoftë, përdoruesit nuk duhet të krijojnë kurrë Passkeys në pajisjet që nuk janë personale, pasi kushdo që mund të hyjë dhe zhbllokojë pajisjen mund të hyjë në llogarinë e tij të Google.
Llogaritë e Google do të vazhdojnë të mbështesin metodat ekzistuese të aksesimit, si fjalëkalimet për të ardhmen e afërt, për të lejuar një kalim gradual te Passkeys. Kompania po inkurajon përdoruesit të bëjnë ndryshimin tani, dhe do të shqyrtojë metoda të tjera të aksesit “pasi Passkey të fitojë mbështetje dhe familjaritet më të gjerë”.
Passkeys janë zbatuar nga kompani të tjera të teknologjisë, duke përfshirë Apple, Microsoft, dhe ato të lidhura me Aleancën FIDO, e cila synon të zëvendësojë fjalëkalimet me metoda më të sigurta të vërtetimit. Njoftimi i Google pritet të përshpejtojë miratimin e Passkey për shkak të madhësisë dhe gjerësisë së përdorimit të Google.




