Sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, ndërsa përdorimi i inteligjencës artificiale u mundëson hakerëve të krijojnë metoda gjithnjë e më bindëse mashtrimi. Llogaritë bankare, rrjetet sociale, adresat e emailit dhe të dhënat personale janë ndër objektivat e tyre.
Megjithatë, nuk është e nevojshme të jeni ekspertë të teknologjisë për të mbrojtur veten. Ja shtatë mënyra praktike për të rritur sigurinë tuaj në internet.
1. Mos përdorni të njëjtin fjalëkalim kudo
Nëse përdorni të njëjtin fjalëkalim për Facebook, Instagram, email dhe llogarinë bankare, mjafton komprometimi i njërës prej tyre për të rrezikuar edhe të tjerat. Përdorni fjalëkalime të ndryshme, të gjata dhe të vështira për t’u zbuluar. Një aplikacion për menaxhimin e fjalëkalimeve mund t’jua lehtësojë këtë proces.
2. Aktivizoni autentifikimin me dy faktorë (2FA)
Edhe nëse një haker arrin të zbulojë fjalëkalimin tuaj, autentifikimi me dy faktorë krijon një pengesë shtesë. Aktivizojeni këtë funksion në email, rrjete sociale dhe aplikacione bankare. Kur është e mundur, përdorni aplikacione autentifikimi ose çelësa fizikë sigurie në vend të kodeve me SMS.

Lexo edhe: Samsung konfirmon rrjedhjen e të dhënave, hakerët publikojnë informacione mbi aktivitetin e përdoruesve të Smart TV
3. Mos klikoni në lidhje të dyshimta
Një mesazh që ju njofton se keni fituar një çmim, se ju ka mbërritur një pako apo se llogaria juaj bankare do të bllokohet, mund të jetë një mashtrim. Mos klikoni në lidhje të dyshimta dhe mos shkarkoni dokumente nga burime të panjohura. Për të verifikuar një njoftim, hyni drejtpërdrejt në faqen ose aplikacionin zyrtar.
4. Përditësoni rregullisht pajisjet tuaja
Mos i shtyni vazhdimisht përditësimet e telefonit, kompjuterit apo aplikacioneve. Përditësimet nuk sjellin vetëm funksione të reja, por korrigjojnë edhe dobësi sigurie që hakerët mund t’i shfrytëzojnë. Aktivizoni përditësimet automatike sa herë që është e mundur.
5. Tregoni kujdes me rrjetet publike Wi-Fi
Rrjetet falas të internetit në kafene, aeroporte apo hotele mund të paraqesin rreziqe sigurie, veçanërisht kur janë të rreme ose të manipuluara. Për transaksione bankare dhe veprime që përfshijnë informacione të ndjeshme, preferoni internetin e telefonit tuaj. Shmangni gjithashtu lidhjen automatike me rrjete të panjohura.

6. Mos publikoni shumë informacione personale
Datëlindja, adresa e banimit, numri i telefonit, vendi i punës dhe informacionet mbi familjarët mund të përdoren nga hakerët për të krijuar mashtrime të personalizuara. Kontrolloni cilësimet e privatësisë në rrjetet sociale dhe mos ndani publikisht informacione që mund të përdoren kundër jush.
7. Krijoni kopje rezervë të të dhënave
Fotografitë, dokumentet dhe materialet e rëndësishme mund të humbasin gjatë një sulmi ransomware, ku hakerët bllokojnë skedarët dhe kërkojnë para për rikthimin e tyre. Ruani rregullisht kopje rezervë në një hard disk të jashtëm, të cilin e shkëputni pas përdorimit, ose në një shërbim të sigurt cloud me historik versionesh.
Asnjë metodë nuk garanton mbrojtje absolute nga sulmet kibernetike, por kombinimi i këtyre masave mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun.
Mos prisni të bëheni viktimë e një sulmi për të filluar të kujdeseni për sigurinë tuaj digjitale.
Technews.al



