Samsung Electronics ka konfirmuar një incident të sigurisë kibernetike, pasi grupi i hakerëve n0n publikoi në dark web 220 MB të dhëna që pretendon se i përkasin gjigantit teknologjik koreano-jugor. Informacionet e publikuara zbulojnë detaje mbi mënyrën se si televizorët inteligjentë të Samsung mbledhin të dhëna për aktivitetin e përdoruesve.
Sipas një analize të studiuesve të Cybernews, materialet e publikuara përmbajnë rreth 150 mijë regjistrime të aktivitetit në Smart TV gjatë vitit 2024. Informacionet përfshijnë oraret dhe kohëzgjatjen e shikimit të televizorit, të dhëna mbi pajisjet, qytetet, kodet postare dhe ofruesit e shërbimeve televizive. Megjithatë, ato nuk zbulojnë konkretisht se çfarë ka parë secili përdorues.
Hakerët kanë publikuar gjithashtu:
- Rreth 42,600 regjistrime mbi reklamat politike të transmetuara gjatë shtatorit dhe tetorit 2026;
- Informacione mbi sponsorët, përkatësitë politike dhe kostot e vlerësuara të reklamave;
- Rreth 99,100 regjistrime që lidhen me trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale për reklamat;
- Dokumente të brendshme me informacione mbi punonjësit dhe infrastrukturën teknologjike të Samsung.
Një zëdhënës i Samsung konfirmoi për Cybernews se incidenti përfshin një kompani të jashtme që merrej me përpunimin e të dhënave reklamuese për Samsung Ads në Amerikën e Veriut. Kompania po bashkëpunon me ofruesin e shërbimit për të përcaktuar përmasat e rrjedhjes së të dhënave.
Lexo edhe: Rrjedhje masive të dhënash nga një platformë për të rritur, ekspozohen të dhënat e miliona punonjësve të seksit
Incidenti rikthen në vëmendje shqetësimet mbi privatësinë e përdoruesve të televizorëve inteligjentë. Samsung është përballur më parë me një padi në Teksas për mbledhjen e të dhënave personale përmes teknologjisë ACR (Automated Content Recognition), e cila mundëson identifikimin automatik të përmbajtjes që shfaqet në ekran.
Ndërkohë, Samsung Securities, një tjetër kompani e grupit Samsung, ka konfirmuar një incident të veçantë kibernetik që ka ekspozuar të dhënat personale të mbi 8 mijë klientëve.
Grupi i hakerëve n0n, i cili raportohet se përdor edhe inteligjencën artificiale për aktivitetet e tij kibernetike, ka marrë përgjegjësinë për sulme ndaj disa kompanive të njohura ndërkombëtare, përfshirë Visa, Mastercard, Walmart, JPMorgan, Starbucks dhe Expedia.
Samsung ka deklaruar se mbrojtja e informacionit të klientëve dhe partnerëve mbetet prioritet, ndërsa hetimet për incidentin vazhdojnë.
Cybernews



