Mbi 90% e kërkesave dhe shqetësimeve sa i takon platformës e-Albania lidhen me harrimin e fjalëkalimit apo përgjigjen e pyetjes së sigurisë.
Dikur duhet t’i shkruaje helpdesk@e-albania.al për ndihmë në mënyrë që të ndryshoje fjalëkalimin por tashmë e gjithë kjo odise merr fund dhe gjithsecili mund ta vendosë vetë një fjalëkalim të ri duke ndjekur një procedurë të thjeshtë, njësoj sikurse me llogarinë në rrjetin social ‘facebook’.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Linda Karçanaj njofton për ketë lehtësi të re në e-Albania teksa ndan edhe videon me procedurën e ndryshimit të fjalëkalimit.
“Janë me mijëra çdo ditë e-mailet në adresën tonë helpdesk@e-albania.al dhe asistohen gjithashtu me mijëra qytetarë, çdo ditë. 90% e kërkesave dhe shqetësimeve lidhen me harrimin e fjalëkalimit apo pyetjen e sigurisë në e-Albania.
Tashmë kjo merr fund! Nuk keni pse t’i shkruani e-mail kujt e të prisni fjalëkalimin por mund ta vendosni vetë në çast një fjalëkalim të ri duke ndjekur udhëzimet si në videon e mëposhtme.
Punojmë çdo ditë duke shqyrtuar e vënë në zbatim çdo opsion që mund t’jua lehtësojë e thjeshtëzojë jetën. E pamundur të numërohen të gjitha lehtësirat që ka sjellë e-Albania por kjo nuk do të thotë se do ndalemi këtu. Shërbime të tjera do i bashkangjiten listës online deri në fund të vitit”, shkruan Karçanaj./Revista Monitor





1 Comment
Pingback: Hyri në e-Albania me të dhënat e të afërmes dhe mori mikrokredi në vlerë 3 500 euro - Technews.al