Banka e Shqipërisë ka miratuar rregulloret e reja për funksionimin e sistemeve të pagesave AIPS, AIPS EURO dhe AECH, si dhe për përdorimin e sistemit SWIFT. Ky proces modernizimi reflekton zhvillimet teknologjike më të fundit dhe nevojën për një kuadër rregullator më efikas, që jo vetëm garanton funksionimin e pandërprerë të sistemeve, por edhe mbështet objektivat e politikave për rritjen e përdorimit të pagesave elektronike dhe zgjerimin e përfshirjes financiare.
Një nga elementët kryesorë të reformës është ulja e ndjeshme e kostove për qytetarët dhe bizneset, duke e bërë përdorimin e kanaleve elektronike më të leverdishëm se kurrë më parë. Konkretisht:
- Pagesat elektronike deri në 40,000 lekë tashmë kryhen pa asnjë komision për qytetarët.
- Pagesat elektronike deri në 10 milionë lekë kanë pësuar ulje të komisioneve gati 10 herë, duke rritur ndjeshëm përfitimin e përdoruesve të sistemit AECH.
- Pagesat në euro ofrohen me tarifa minimale dhe përqindje rreth 10 herë më të ulëta, duke krijuar kushte më të favorshme për transfertat brenda vendit dhe duke harmonizuar gradualisht skemën e kostove me transfertat ndërkufitare SEPA.
Sipas vlerësimeve, këto ndryshime do t’u kursejnë qytetarëve dhe ekonomisë shqiptare rreth 40 milionë euro në vit, duke krijuar bazën e nevojshme për integrimin e plotë në sistemin SEPA dhe për zbatimin e projektit TIPS Clone, që do të mundësojë pagesa të shpejta dhe moderne në kohë reale.
Nisma e Bankës së Shqipërisë ka marrë vlerësime pozitive nga partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në projektet e sistemeve të pagesave. Ajo konsiderohet gjithashtu si një model rregullativ i suksesshëm për bankat qendrore të rajonit, në drejtim të konsolidimit të infrastrukturës financiare dhe të përhapjes së pagesave SEPA.




