Kryeministri Edi Rama, deklaroi se Shqipëria është duke punuar për të prodhuar dronë inteligjentë dhe makina ushtarake.
Rama theksoi se shteti shqiptar do të jetë pjesë aktive në prodhimin e makinave ushtarake dhe dronëve inteligjentë për Forcat e Armatosura.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me kompaninë KAYO, Rama sqaroi se ajo nuk është kompani private, por është në pronësi të shtetit shqiptar dhe do të përdoret për të prodhuar makinat ushtarake.
“Pavarësisht akuzave, kompania “KAYO” është shteti shqiptar. Produktet e kompanisë do të shërbejnë jo vetëm për nevojat e ushtrisë shqiptare, por edhe për eksport, duke përfshirë mirëmbajtjen e dronëve dhe makinave të prodhuara për vende të tjera”,- deklaroi Rama.
Rama përmendi edhe shembullin e ushtrisë suedeze, e cila porosit uniforma në Shqipëri.
Lexo edhe: Si do të funksionojë “Diella”? Rama jep detaje: Ka plotfuqi në veprim, shemb pengesat burokratike
“Të gjitha do të prodhohen në Shqipëri, nga shqiptarët në këtë rast. Dhe natyrisht, kjo kompani do të prodhojë edhe për vendet e tjera. Do të shërbejë dhe si bazë prodhuese”,- theksoi Rama, duke shtuar se po punohet edhe për prodhimin e dronit inteligjent në Shqipëri.
Kryeministri theksoi se vendi po shkon drejt mbylljes së të gjitha hapësirave për abuzime me tenderat.
“Nëse do të ishim një forcë që punon për të marrë para, ne nuk do të ngrinim një sistem të tërë prokurimesh, që po shkon drejt mbylljes së të gjitha hapësirave të abuzimit të prokurorimit. Nuk do të ishim sot që flasim, vendi i parë në klasifikimin e vendeve kandidate për në BE, për integritetin e prokurimeve publike. Kjo është histori që vazhdon. Do të kemi industri ushtarake që do të prodhojë në vend gjithçka që mund të prodhohet në vend dhe nuk do të vjeli buxhetin e shtetit”,- tha Rama





1 Comment
Pingback: 6 llojet e bizneseve që NUK duhet t’i nisni në 2026! - Technews.al