Pas vitesh pritjeje, linja hekurudhore Durrës-Tiranë-Rinas po i afrohet përfundimit. Hekurudha Shqiptare ka publikuar pamjet e testimit të trenit të pasagjerëve, një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të transportit modern hekurudhor në vend.
Projekti synon të lidhë qytetin e Durrësit me Tiranën dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, duke krijuar një alternativë të re transporti për qytetarët dhe turistët.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga stacioni i ri hekurudhor i Vorës, duke njoftuar se punimet po i afrohen fazës përfundimtare.

“Ja edhe stacioni hekurudhor i Vorës, teksa edhe Hekurudha Durrës-Tiranë, me lidhjen e re drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, po i afrohet më në fund vijës së finishit”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Lexo edhe: Probleme globale me shërbimet e Apple, përdoruesit e iPhone nuk hyjnë dot në llogaritë e tyre
Investimi pritet të lehtësojë lëvizjen e pasagjerëve, të përmirësojë transportin publik dhe të ofrojë një mundësi tjetër udhëtimi drejt aeroportit, duke reduktuar varësinë nga transporti rrugor.
Sipas planifikimit të projektit, linja hekurudhore parashikohet të finalizohet gjatë vitit 2027. Megjithatë, testimi i trenit nuk nënkupton ende nisjen e shërbimit të rregullt për pasagjerët.
Me përfundimin e projektit, Tirana, Durrësi dhe Rinasi pritet të kenë një lidhje të re hekurudhore, që mund të ndryshojë mënyrën se si qytetarët dhe vizitorët udhëtojnë mes këtyre destinacioneve.


