Këngëtari dhe producenti i njohur amerikan Kanye West mbajti më 11 korrik koncertin e tij në Tiranë, një nga eventet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, në kuadër të turit të tij botëror. Megjithatë, përpara se artisti të ngjitej në skenë, vëmendjen e rrjeteve sociale e mori një detaj i pazakontë në profilin e tij në Spotify.
Në njoftimin zyrtar të koncertit, vendndodhja e eventit ishte shfaqur gabimisht si “EAGLE STADIUM, Tirana, Tirana Türkiye, TR”, duke e renditur kryeqytetin shqiptar si pjesë të Turqisë. Përveç emrit “Türkiye”, në fund ishte vendosur edhe kodi ndërkombëtar “TR”, që i përket Turqisë, duke krijuar konfuzion te fansat.

Gabimi u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ku shumë përdorues reaguan me humor dhe ironi. Disa e cilësuan si një “gabim gjeografik të pafalshëm”, ndërsa të tjerë vunë në dukje se ishte paradoksale që një koncert i organizuar në “Eagle Stadium”, një emër që lidhet drejtpërdrejt me simbolin kombëtar shqiptar, të shfaqej me adresë në një shtet tjetër.
Shumë komentues besojnë se bëhet fjalë për një problem teknik ose një gabim në bazën e të dhënave të platformës, e cila ka lidhur gabimisht emrin “Tirana” me kodin e Turqisë. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Spotify apo organizatorët e koncertit për të sqaruar arsyen e këtij lapsusi.
Lexo edhe Koncerti i polemikave: Kanye West ndez Tiranën, por edhe debatin për 4.2 milionë eurot
Edhe pse koncerti u zhvillua normalisht në Tiranë, incidenti u kthye në një nga temat më të komentuara online. Për fansat shqiptarë, gabimi ishte një arsye më shumë për të kërkuar korrigjimin e menjëhershëm të të dhënave, duke kujtuar se Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, pavarësisht se çfarë mund të ketë shfaqur për pak orë një platformë ndërkombëtare.




