Revista prestigjioze Forbes ka publikuar listën e saj të re “Best Places to Retire Abroad in 2026”, ku Shqipëria renditet në vendin e parë mes destinacioneve më të mira në botë për të kaluar vitet e pensionit. Në listë përmenden disa nga qytetet më tërheqëse të vendit, si Tirana, Durrësi, Vlora dhe Saranda, të cilat vlerësohen për kombinimin e kostos së ulët të jetesës, klimës mesdhetare dhe stilit të qetë të jetës.
Sipas Forbes, gjithnjë e më shumë amerikanë po konsiderojnë zhvendosjen jashtë vendit për shkak të kostove në rritje dhe ndryshimeve ekonomike e politike. Për renditjen e këtij viti, revista analizoi faktorë si kostoja e jetesës, cilësia e kujdesit shëndetësor, komoditetet, siguria, klima dhe mikpritja ndaj pensionistëve amerikanë.

Pas Shqipërisë në listë renditen vende të njohura si Kolumbia, Franca, Irlanda, Malta, Mali i Zi, Sllovenia, Tajlanda dhe Vietnami, duke treguar se Ballkani po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një alternativë tërheqëse për ata që kërkojnë një jetë më të qetë dhe më të përballueshme.
Vlerësimi i Forbes është një tjetër promovim i rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë, e cila vitet e fundit është përmendur shpesh në mediat e huaja si një nga destinacionet turistike dhe të jetesës me rritjen më të shpejtë në Evropë. Për qytete si Tirana, Durrësi, Vlora dhe Saranda, kjo renditje mund të sjellë edhe më shumë interes nga të huajt që kërkojnë ta kalojnë pensionin pranë detit Adriatik dhe Jon.




