Apple po përballet me probleme teknike që kanë lënë një pjesë të përdoruesve të iPhone pa akses në llogaritë dhe shërbimet e tyre.
Në faqen zyrtare të statusit të sistemeve, kompania ka raportuar probleme me “iCloud Account & Sign In”, shërbimin që mundëson hyrjen në llogaritë Apple.
“Të gjithë përdoruesit janë të prekur. Ky shërbim mund të jetë i ngadaltë ose i padisponueshëm”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Lexo edhe: Sulm kibernetik ndaj 178 faqeve të njohura, mes tyre Zoom, CNN, HSBC dhe IKEA
Ndërkohë, platforma Downdetector, e cila monitoron problemet e shërbimeve online, ka regjistruar një rritje të menjëhershme të raportimeve për ndërprerje në iCloud, Apple Pay, App Store dhe Apple Support.
Përdoruesit raportojnë vështirësi në identifikimin në llogaritë e tyre, aksesimin e shërbimeve cloud dhe përdorimin e disa funksioneve të ekosistemit Apple.
Ende nuk është bërë e ditur se çfarë e ka shkaktuar problemin apo sa kohë do të nevojitet për rikthimin e plotë të shërbimeve.
Apple nuk ka njoftuar një afat për zgjidhjen e ndërprerjeve, ndërsa situata mbetet në zhvillim.
Përdoruesit mund të kontrollojnë gjendjen e shërbimeve në faqen zyrtare Apple System Status.


