Një robot humanoid me emrin Shuang Shuang mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të një gjimnazi në Kinë, duke theksuar zhvillimin e shpejtë të vendit në fushën e teknologjisë robotike.
Pamjet e ngjarjes së mbajtur më 1 korrik në qytetin Fujian tregojnë Shuang Shuang teksa marshon drejt skenës gjatë ceremonisë së diplomimit të gjimnazit “Shuangshi”, në edicionin e tij të 25-të, duke mbajtur një çantë të zbrazët. Roboti u pozicionua përpara stafit akademik të shkollës, i cili ndodhej në podium. Një prej mësuesve u ngrit dhe iu afrua robotit. Nën duartrokitjet e të pranishmëve, ai dhe roboti shtrënguan duart në një skenë simbolike, ndërsa më pas mësuesi vendosi një certifikatë në çantën e robotit dhe pozoi për fotografi së bashku me të, përpara nxënësve të mbledhur.
Ky moment solli një element teatror dhe vizionar në ceremoni, duke vënë në pah mënyrën se si robotët humanoidë po dalin nga laboratorët kërkimorë për të hyrë në jetën publike dhe në momente kulturore. Shfaqja e Shuang Shuang vjen në një kohë kur robotët me pamje njerëzore dhe shtazore po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje globale. Kina ka organizuar kohët e fundit disa ekspozita dedikuar robotikës, duke demonstruar aftësinë e këtyre makinerive për të kryer një gamë të gjerë funksionesh praktike.
Lexo edhe: Mirë se vini në të ardhmen: Brenda hotelit të drejtuar nga robotët në Tokio
Investimet e mëdha të Kinës në zhvillimin e robotikës e kanë vënë atë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara, në atë që disa ekspertë e cilësojnë si një “garë teknologjike”. Një shembull i spikatur i këtij trendi është shfaqja publike e një “qeni robotik” me karakteristika ushtarake, i cili u pa në Florida duke ofruar siguri për ish-presidentin amerikan Donald Trump.
Ndërkohë Elon Musk i cili ka pasur një rol të dukshëm në fitoren e fundit elektorale të Trump, vazhdon të shtyjë përpara kufijtë e inovacionit në robotikë. Ai ka prezantuar së fundmi robotin humanoid Optimus, të cilin e përshkruan si një “asistent multifunksional”. Sipas Musk, Optimus është i aftë të kryejë detyra të përditshme shtëpiake, të luajë me fëmijët dhe të realizojë punë të përsëritura.




