Çdo verë qarkullojnë lajme dhe video që pretendojnë se telefonat mund të shpërthejnë nga temperaturat e larta. Edhe pse raste të tilla janë shumë të rralla, ekspertët thonë se nxehtësia mund të dëmtojë seriozisht baterinë dhe të rrisë rrezikun e defekteve.
Bateritë moderne me litium nuk janë projektuar për temperatura ekstreme. Kur ekspozohen për një kohë të gjatë në diell ose brenda një makine të nxehtë, ato mund të fryhen, të humbasin kapacitetin ose, në raste të rralla, të shkaktojnë mbinxehje të rrezikshme.
Lexo edhe: Mos e lini laptopin në makinë! Pajisjet teknologjike që dëmtohen më shpejt nga temperaturat e larta
Shenjat paralajmëruese janë të qarta:
Telefoni bëhet shumë i nxehtë, bateria zbrazet shpejt, pajisja fiket vetë ose shfaq një mesazh për temperaturë të lartë. Në këto raste nuk duhet të vazhdoni ta përdorni ose ta karikoni.
Ekspertët këshillojnë që telefoni të mbahet gjithmonë në hije, të mos karikohet nën rrezet e diellit dhe të përdoren vetëm karikues origjinalë ose të certifikuar. Nëse bateria fryhet, telefoni duhet të dërgohet menjëherë në servis.
Pra, telefoni nuk “shpërthen” thjesht sepse është vapë, por kombinimi i temperaturave të larta, baterive të dëmtuara dhe karikuesve jo cilësorë mund të krijojë situata të rrezikshme.



