Një nga thesaret më të rralla të kulturës shqiptare do të dëgjohet në një nga filmat më të shumëpritur të vitit. Iso-polifonia shqiptare dhe tingujt karakteristikë të fyellit të dyfishtë janë bërë pjesë e kolonës zanore të “The Odyssey”, filmit të ri të regjisorit të njohur Christopher Nolan.
Lajmi është konfirmuar nga kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, i cili zbuloi se udhëtoi posaçërisht në jug të Shqipërisë për të regjistruar tinguj autentikë që do të pasurojnë muzikën e filmit.
Në një intervistë për New York Magazine, Göransson tregoi se kaloi një javë të tërë duke regjistruar këngë iso-polifonike në vendin ku kjo traditë ka lindur dhe është ruajtur brez pas brezi. Ai regjistroi gjithashtu tingujt e fyellit të dyfishtë, një instrument tradicional që prej shekujsh shoqëron jetën dhe folklorin e jugut të Shqipërisë.
Lexo edhe: Russell Crowe luan një personazh shqiptar në filmin e ri, rrjeti ndahet në reagime
E shpallur nga UNESCO si Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, iso-polifonia shqiptare konsiderohet një nga format më të veçanta të muzikës tradicionale në botë. Përfshirja e saj në një produksion të përmasave të Hollywood-it është një vlerësim i jashtëzakonshëm për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe një mundësi që miliona shikues në mbarë globin të njihen me këtë art unik.
I bazuar në poemën epike të Homerit, “The Odyssey” është një nga projektet më ambicioze të Christopher Nolan. Me tingujt e jugut shqiptar në kolonën zanore, filmi sjell jo vetëm një histori mitike në ekran, por edhe një copëz të identitetit kulturor shqiptar në skenën më të madhe të kinemasë botërore. Premiera e filmit zhvillohet sot në Kosovë dhe njëkohësisht në kinematë në mbarë botën.




