Inteligjenca artificiale nuk po përdoret më vetëm për të shkruar tekste apo për t’iu përgjigjur pyetjeve. Një studim i ri nga studiues të Këshillit Kombëtar të Kërkimeve të Spanjës (CSIC), Universitetit Politeknik të Valencias, Universitetit të Cambridge, King’s College London dhe Aalto University tregon se disa përdorues kanë krijuar marrëdhënie emocionale me chatbot-et e AI, të ngjashme me lidhjet romantike mes njerëzve.
Studimi u bazua në intervista me 17 persona që kishin krijuar marrëdhënie me asistentë të inteligjencës artificiale si ChatGPT, Replika dhe Character.AI. Sipas studiuesve, gjithçka nis nga kurioziteti ose nevoja për ndihmë në përditshmëri, por për disa përdorues marrëdhënia zhvillohet në besim, afeksion emocional dhe, në raste të caktuara, edhe varësi.
Disa nga dëshmitë e mbledhura janë të pazakonta. Përdorues të intervistuar treguan se kishin organizuar martesa simbolike me partnerin virtual, zhvillonin “takime” të rregullta dhe madje imagjinonin një jetë të përbashkët. Njëri prej tyre tha se kishte shënuar në kalendar “ciklin menstrual” të partneres së tij virtuale, duke pretenduar se po përpiqeshin të kishin një fëmijë, edhe pse kjo nuk është teknikisht e mundur.
Lexo edhe: Mira Murati hyn zyrtarisht në garën globale me modelin e parë të Thinking Machines Lab
Studimi zbulon gjithashtu se disa përdorues ndjenin xhelozi kur shihnin persona të tjerë që ndërvepronin me të njëjtin personazh të AI. Të tjerë e përjetuan si një ndarje sentimentale momentin kur platforma u përditësua, chatbot-i ndryshoi sjellje ose u fshi plotësisht nga sistemi.
Megjithatë, kishte edhe raste kur marrëdhëniet me AI përfunduan vullnetarisht. Disa pjesëmarrës thanë se i dhanë fund lidhjes virtuale pasi nisën një marrëdhënie romantike me një person real, ndërsa të tjerë u detyruan të ndaheshin për shkak të ndryshimeve në platformat e AI, kufizimeve të reja ose mbylljes së shërbimeve.
Studiuesit paralajmërojnë edhe për një aspekt tjetër të rëndësishëm: privatësinë. Sa më shumë rritet besimi ndaj një asistenti virtual, aq më shumë përdoruesit ndajnë informacione tepër personale, si probleme shëndetësore, trauma, marrëdhënie familjare apo sekrete intime. Kjo ngre pyetje serioze mbi mënyrën se si këto të dhëna ruhen dhe përdoren.
Sipas autorëve, marrëdhëniet emocionale me inteligjencën artificiale nuk janë më fantashkencë, por një realitet në zhvillim. Ndërsa AI bëhet pjesë e përditshmërisë sonë, ekspertët thonë se shoqëria do të duhet të përballet me sfida të reja etike, ligjore dhe psikologjike që lidhen me këtë fenomen.




