Shqipëria është vendi me përdorimin më të lartë të rrjeteve sociale në Europë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe Ofcom. Plot 94% e shqiptarëve përdorin rrjetet sociale, duke lënë pas pothuajse të gjitha vendet e kontinentit.
Dallimi bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohet me vendet e tjera europiane. Në Greqi, përdorimi i rrjeteve sociale është 73%, në Francë 71%, në Spanjë 70%, ndërsa Gjermania regjistron vetëm 59% dhe Italia 56%. Edhe në rajon, shifrat janë më të ulëta: Kosova raportohet me 52% të popullsisë aktive në rrjetet sociale.
I vetmi vend që i afrohet Shqipërisë është Danimarka, me 90%, por edhe ajo mbetet pas rekordit shqiptar prej 94%.

Ekspertët e lidhin këtë nivel të lartë përdorimi me disa faktorë: popullsinë relativisht të re, përhapjen e telefonave inteligjentë, internetin me kosto të ulët dhe faktin që rrjetet sociale janë kthyer në burimin kryesor të informimit, komunikimit dhe argëtimit për një pjesë të madhe të qytetarëve.
Lexo edhe: Firence hap qendrën e parë në Itali për varësinë digjitale! Ja kush mund të regjistrohet
Megjithatë, përdorimi kaq intensiv sjell edhe sfida. Varësia nga ekranet, dezinformimi, privatësia e të dhënave dhe ndikimi në shëndetin mendor janë bërë çështje gjithnjë e më të diskutuara në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin.
Sipas të dhënave të Eurostat dhe Ofcom, Shqipëria jo vetëm që është ndër vendet më të lidhura digjitalisht në Europë, por aktualisht mban vendin e parë për përdorimin e rrjeteve sociale, duke u bërë një nga tregjet më aktive për platformat si Facebook, Instagram, TikTok dhe YouTube.




