Frigoriferët dhe ngrirësit e supermarketeve në Europë janë kthyer në objektiva të sulmeve kibernetike. Incidentet e fundit kanë prekur rrjete supermarketesh në Belgjikë, Luksemburg, Estoni, Holandë, Irlandë dhe Suedi, duke ngritur shqetësime për sigurinë e ushqimeve.
Vetëm pak javë më parë, 500–700 supermarkete në Francë u goditën nga një sulm që shkaktoi rritjen e temperaturave të ngrirësve deri në 50°C, duke rrezikuar prishjen e produkteve ushqimore.
Lexo edhe: Sulm kibernetik në Francë: Hakerat rrisin temperaturat e frigoriferëve në 50°C, shkatërrohen ushqime me vlerë miliona euro
Por si mund të hakerohet një frigorifer? Shumë sisteme moderne ftohjeje janë të lidhura me internetin për të mundësuar monitorimin dhe kontrollin në distancë. Kjo u jep administratorëve më shumë lehtësi, por krijon edhe mundësi për hakerët që të ndryshojnë temperaturat, të bllokojnë sistemet ose t’i çaktivizojnë ato.

Sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike, problemi kryesor janë sistemet e vjetruara që nuk marrin më përditësime sigurie. Deri tani, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet dhe autoritetet nuk kanë identifikuar publikisht autorët.
Inteligjenca artificiale mund ta përkeqësojë situatën. Ekspertja Pavlina Pavlova paralajmëron se AI u mundëson sulmuesve të zbulojnë më shpejt dobësitë e sistemeve dhe të automatizojnë sulme në shkallë të gjerë, ndërsa kompanitë nuk arrijnë t’i përditësojnë sistemet me të njëjtën shpejtësi.
“Situata ndoshta do të përkeqësohet përpara se të përmirësohet”, paralajmëron Pavlova.


