Inteligjenca artificiale po përdoret për të automatizuar gjithçka, nga puna dhe komunikimi te organizimi i jetës së përditshme. Por a duhet të përdoret edhe për të zëvendësuar momentet mes prindërve dhe fëmijëve? Kjo pyetje ka ndezur një debat në rrjetet sociale pas një postimi të Alvin Sng, inxhinier softuerësh në startup-in Factory AI, i cili tregoi një bisedë me bashkëshorten e tij.
Sipas postimit, tashmë të fshirë nga platforma X, bashkëshortja i kishte kërkuar t’i lexonte një libër foshnjës së tyre. Ai kishte propozuar të vendoste një audiobook nga telefoni. Kur ajo i kujtoi se fëmija duhej të dëgjonte zërin e babait, Sng u përgjigj se mund të trajnontе një model AI që të imitonte zërin e tij. Më pas e komentoi situatën me humor, duke thënë se prindërimi është ndryshe kur punon në inteligjencën artificiale.
Lexo edhe: “Nuk ka miq”: Amazon mban të dhëna të detajuara për klientët, disa prej tyre edhe fyese
Reagimet në internet ishin kryesisht kritike. Shumë përdorues argumentuan se leximi i një përralle nuk ka të bëjë vetëm me dëgjimin e fjalëve, por edhe me praninë, afërsinë dhe lidhjen emocionale mes prindit dhe fëmijës. Një përdorues pyeti përse instinkti i parë i një babai nuk ishte të kalonte kohë me foshnjën e tij, ndërsa sociologia Jess Calarco kritikoi idenë e krijimit të teknologjive që zëvendësojnë përgjegjësitë njerëzore në kujdesin ndaj fëmijëve.
Rasti vjen në një kohë kur përdorimi i AI në prindërim po zgjerohet. Disa prindër përdorin chatbot-e për të argëtuar fëmijët, ndërsa janë raportuar edhe raste kur prindërit kanë krijuar kopje dixhitale të vetes për të komunikuar me fëmijët gjatë mungesës së tyre. Ndërkohë, sipas raportimit, Meta po zhvillon një aplikacion të quajtur StoryKit, i cili krijon dhe lexon përralla të personalizuara për fëmijët.
Teknologjia mund të jetë një ndihmë e vlefshme për prindërit, veçanërisht kur janë larg shtëpisë ose kanë nevojë për mjete edukative. Megjithatë, debati ngre një pyetje më të madhe: Në përpjekje për të kursyer kohë me AI, a rrezikojmë të automatizojmë pikërisht momentet që duhet t’i kalojmë së bashku?




