Në një kohë kur gjithçka po digjitalizohet, japonezët po rikthehen te një metodë tradicionale për të mbrojtur të dhënat personale: shkrimi i fjalëkalimeve në letër.
Sipas gazetës japoneze Nikkei, kompania Hands ka raportuar një rritje prej 50% të shitjeve të blloqeve të posaçme për ruajtjen e fjalëkalimeve, krahasuar me vitin e kaluar. Kërkesa ka qenë aq e lartë, sa produktet janë shitur plotësisht në dyqanin online të kompanisë. Një trend të ngjashëm ka raportuar edhe rrjeti i dyqaneve Daiso.
Fillimisht, këto blloqe ishin të destinuara kryesisht për personat mbi 60 vjeç. Megjithatë, së fundmi është vënë re një interes në rritje edhe nga të rinjtë e moshës 20 deri në 39 vjeç.
Shkak për këtë trend duket se është shtimi i sulmeve kibernetike dhe rrjedhjeve të të dhënave personale. Kompania japoneze Muji raportohet se ka pësuar një sulm kibernetik, gjatë të cilit janë ekspozuar 27 milionë adresa emaili dhe mbi një milion numra kartash krediti. Ndërkohë, Universiteti Metropolitan i Osakës u detyrua të pezullonte mësimin pas një sulmi ransomware që nxori jashtë funksionit 500 serverë.
Lexo edhe: Rrjedhje masive të dhënash nga një platformë për të rritur, ekspozohen të dhënat e miliona punonjësve të seksit
Problemi nuk kufizohet vetëm në Japoni. Kompania franceze Decathlon ka konfirmuar një rrjedhje të dhënash që preku 163 mijë klientë, ndërsa në SHBA, Visa dhe JPMorgan Chase kanë qenë gjithashtu objekt i sulmeve kibernetike.
Ruajtja e fjalëkalimeve në letër i mbron ato nga vjedhja në distancë përmes sulmeve kibernetike, por nuk eliminon rrezikun e humbjes, vjedhjes fizike apo komprometimit të vetë platformave online.
Në epokën e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara, duket se letra dhe lapsi po rifitojnë vendin e tyre në jetën e përditshme.



