Samsung dhe Google kanë prezantuar një gjeneratë të re syzesh inteligjente me inteligjencë artificiale, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së pajisjeve “wearable”.
Syzet janë pjesë e platformës Android XR dhe janë zhvilluar në bashkëpunim me marka të njohura si Warby Parker dhe Gentle Monster, duke synuar të bashkojnë teknologjinë e avancuar me dizajnin e përditshëm.
Të pajisura me modelin Gemini të Google, syzet do t’u mundësojnë përdoruesve të marrin udhëzime, përkthime në kohë reale, njoftime, navigim dhe ndihmë zanore, pa pasur nevojë të përdorin vazhdimisht telefonin.
Pajisja pritet të përfshijë kamera dhe altoparlantë të integruar, duke bërë të mundur realizimin e fotografive dhe videove, kryerjen e thirrjeve, dërgimin e mesazheve dhe përdorimin e komandave zanore për funksione të ndryshme.
Lexo edhe: Japonezët shpikin jastëkun inteligjent që zbulon rreziqet gjatë gjumit (FOTO)
Sipas kompanive, ky është vetëm fillimi i një linje të re produktesh që synojnë ta bëjnë inteligjencën artificiale pjesë më natyrale të jetës së përditshme. Modelet më të avancuara, të cilat mund të përfshijnë edhe ekrane të integruara, pritet të vijnë në vitet e ardhshme.
Në thelb, synimi është i qartë: teknologjia të mos qëndrojë vetëm në ekranin e telefonit, por të bëhet pjesë e mënyrës si shohim, lëvizim dhe ndërveprojmë me botën përreth.
Ndërkohë, Samsung po shqyrton edhe ndryshime në zinxhirin e furnizimit për telefonat e ardhshëm. Raportime nga Koreja sugjerojnë se prodhuesi kinez BOE po kërkon të furnizojë ekranet për modelin e ardhshëm Galaxy S27. Samsung ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por përdorimi i BOE si furnizues dytësor mund të ndihmojë kompaninë të ulë kostot e prodhimit.




