Drejtoresha e Agjencisë së Medias Audiovizive, Armela Krasniqi, ka bërë të ditur në një intervistë për Euronews Albania me moderatoren Alba Xhani, se TikTok ka hequr 45 video pas ankesave të paraqitura nga institucioni, ndërsa 9 të tjera ishin ende në shqyrtim nga platforma.
Gjatë intervistës, Krasniqi theksoi rëndësinë e paraqitjes së ankesave konkrete, në mënyrë që platformat të kenë informacion të saktë për qytetarët apo personat që pretendojnë se janë cenuar. Ajo sqaroi se, nga fillimi i javës deri të premten, TikTok kishte hequr 45 video, ndërsa për 9 të tjera priste konfirmimin për heqjen e tyre.
Lexo edhe: TikTok arrin marrëveshje 400 milionë dollarë me autoritetet amerikane për privatësinë e fëmijëve
“Na duhen patjetër ankesat, pasi edhe kur u referohemi partnerëve në platforma, duhet t’u japim saktësisht se cili qytetar ankohet apo cili person i cenuar ankohet, sepse varet. Nuk është patjetër që ti, që je ankuar, duhet të jesh edhe personi që ankohet.
Dhe duhet të them se, që nga fillimi i kësaj jave deri të premten, TikTok-u, pas ankesës sonë, ka hequr 45 video. Ndërkohë, nuk i kam të dhënat e fundit, por jam krejt e bindur se edhe 9 të tjera, që ishin në shqyrtim nga platforma, besoj se deri sot në mëngjes duhet të jenë hequr, por nuk i kam aktualisht statistikat”, u shpreh Armela Krasniqi për Euronews Albania.




