Hakerët kanë depërtuar në sistemet e kontrollit të temperaturës në tri ambiente frigoriferike të Shërbimit Kombëtar të Gjakut në Francë (EFS), duke rritur në nivele jashtëzakonisht të larta temperaturat dhe parametrat e shkrirjes së pajisjeve ku ruhen produktet e gjakut.
Sipas autoriteteve franceze, sulmi ndodhi gjatë natës, por sistemet e alarmit mundësuan ndërhyrjen e teknikëve përpara se gjaku dhe produktet e tjera të dëmtoheshin. EFS furnizon mbi 1,900 spitale në Francë me gjak, plazmë dhe trombocite, duke mbështetur trajtimin e më shumë se një milion pacientëve çdo vit.
Lexo edhe: Sulme kibernetike ndaj supermarketeve në mbarë Europën: përse frigoriferët janë të lidhur me internetin?
Incidenti vjen pas një vale sulmesh të ngjashme ndaj frigoriferëve të supermarketeve në Europë, ku temperaturat janë rritur deri në 50°C, duke shkaktuar miliona euro dëme nga ushqimet e prishura. Sulme janë raportuar në Francë, Belgjikë, Itali, Gjermani dhe disa vende të tjera europiane.
Bashkimi Europian ka nisur diskutime urgjente me autoritetet kombëtare për një përgjigje të përbashkët. Deri tani, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet dhe motivet e autorëve mbeten të panjohura.
Rasti ngre një shqetësim serioz: sulmet kibernetike nuk po kërcënojnë më vetëm të dhënat apo bizneset, por edhe infrastrukturën nga e cila varen drejtpërdrejt jetët e njerëzve. Një sistem ftohjeje i pambrojtur mund të rrezikojë jo vetëm ushqimet, por edhe rezervat mjekësore jetike.


