Nvidia ka nisur një hetim të brendshëm ndaj drejtorit ekzekutiv Jensen Huang, pas raportimeve se ai mund të ketë qenë objektiv i një operacioni të inteligjencës së huaj.
Sipas The New York Times, Huang ka pranuar përpara bordit drejtues se kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një drejtuese biznesi, e cila dyshohet nga shërbimet amerikane të inteligjencës se mblidhte informacione për Kinën.
Në një letër drejtuar punonjësve, 63-vjeçari pranoi përgjegjësinë për veprimet e tij dhe kërkoi falje ndaj familjes dhe kolegëve. Megjithatë, ai nuk bëri publik identitetin e gruas apo lidhjet e saj të dyshuara me Pekinin.
Lexo edhe: Ja cilët janë 6 burrat që po drejtojnë revolucionin e Inteligjencës Artificiale
Rasti ka ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare të SHBA-së, pasi Nvidia është një nga kompanitë më të rëndësishme në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Çipat e saj përdoren në qendrat e të dhënave në mbarë botën, ndërsa eksporti i teknologjive më të avancuara drejt Kinës është subjekt i kufizimeve amerikane.
Bordi i Nvidia deklaroi se aktualisht nuk ka arsye të besojë se sekretet e kompanisë apo siguria kombëtare janë komprometuar, por konfirmoi se do të zhvillohet një hetim i pavarur. Huang ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht.
Nga ana tjetër, Kina ka hedhur poshtë akuzat për spiunazh, duke i cilësuar ato si të pabazuara.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se pyetjet kryesore mbeten nëse Huang kishte dijeni për ndonjë aktivitet të mundshëm spiunazhi dhe nëse informacione konfidenciale kanë përfunduar në duar të huaja.


